Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, duke u ndalur veçanërisht te procesi i konstituimit të Kuvendit.
Lushtaku ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar ende, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari që i takon PDK-së. Ai ka folur edhe për rastin e Vlora Çitakut, e propozuar nga PDK-ja për këtë pozitë.
Çitaku fillimisht nuk i mori votat e nevojshme nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa PDK-ja gjatë ditës së sotme e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Çdo njeri e ka një karakter dhe autoritet që duhet respektuar. Kurti publikisht thotë që i voton nënkryetarët e partive të tjera dhe publikisht mashtron në votim, ne nuk jemi aty për t’u tallur. Ne i kemi pranuar të gjitha shkeljet kushtetuese që të kemi një Kuvend para datës 16 shtator kur merret vendimi për krerët e UÇK-së në Hagë, por Kurti është tallur me të gjithë”, ka deklaruar Mërgim Lushtaku.
Sipas Lushtakut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes veprimeve të tij po i shërben Serbisë.
“Çdo sekondë që Kurti qëndron në Qeverinë e Kosovës, mendoj se do t’i bëjë dëme Kosovës. Në mënyrë direkte apo indirekte po i shërben Serbisë. Kurti pati vota për nënkryetaren e Listës Serbe, por jo edhe për Vlora Çitakun”, ka vlerësuar Mërgim Lushtaku.








