Një udhëtim familjar është kthyer në tragjedi të dielën pasdite në Suharekë, ku një veturë me katër anëtarë të një familjeje ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një livadh, mbi 38 metra më poshtë.
Burimet bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 16:20, në rrugën transite Shirokë–Reshtan.
Sipas të dhënave të para nga hetimet, Petrit Krasniqi, 49-vjeçar, po drejtonte një Renault Twingo të zi nga Shiroka në drejtim të Reshtanit.
Me të arritur përballë restorantit “Lami Garden”, dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet dhe konfiguracionin e rrugës, ai ka humbur kontrollin mbi veturën.
Automjeti fillimisht ka dalë jashtë cepit të djathtë të rrugës, më pas është bartur në anën e majtë dhe ka përfunduar në një livadh, në një thellësi prej rreth 38.20 metrash.
Brenda veturës, përveç shoferit, ndodheshin edhe Pranvera Krasniqi dhe dy fëmijë, të lindur në vitet 2018 dhe 2022.
Të katër kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me autoambulancë në Spitalin e Prizrenit.
Gjendja e shoferit ka qenë më e rëndë dhe ai është dërguar në repartin e kirurgjisë, ku pavarësisht trajtimit, rreth orës 20:40 është konfirmuar se kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të pësuara.
Ndërkohë, gruaja dhe dy fëmijët, sipas mjekut kujdestar, kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë vazhduar trajtimin mjekësor.
Për rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare, me urdhër të së cilës trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.
Rrethanat e plota të vetaksidentit po hetohen.








