Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, ka kundërshtuar interpretimet lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pasojat juridike të mosushtrimit të së drejtës për propozimin e nënkryetarit të Kuvendit.
Gruda ka thënë se ky interpretim nuk mund të zbatohet në rastin e PDK-së, pasi sipas tij, partia nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e saj.
“PDK-ja nuk ka refuzuar ushtrimin e së drejtës së saj kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit. Përkundrazi, në letrën zyrtare që kemi dërguar kemi sqaruar shprehimisht se nuk heqim dorë nga e drejta jonë për të propozuar, por përmbahemi përkohësisht nga ushtrimi i saj”, ka deklaruar Gruda.
Sipas tij, kjo është bërë deri në një sqarim të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Gruda ka theksuar se ekziston dallim mes heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj për shkak të një kontesti kushtetues.
Ai ka përmendur edhe përfundimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, i cili, sipas tij, ka skaduar më 7 gusht, ndërsa më pas Vetëvendosje kishte përcaktuar 6 shtatorin si afat politik.
“Asnjëri prej këtyre afateve nuk u respektua”, ka thënë Gruda, duke shtuar se PDK-ja kishte marrë pjesë edhe në dy seanca të thirrura pas këtyre afateve, me qëllim që Kuvendi të konstituohej.
Megjithatë, ai ka akuzuar Vetëvendosjen se këto seanca i kishte shfrytëzuar për “manovra procedurale dhe lojëra absurde politike”, të cilat, sipas tij, e pamundësuan përfundimin e procesit të konstituimit.
Gruda ka kundërshtuar mundësinë që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar pa pjesëmarrjen e PDK-së, duke thënë se një qasje e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm kushtetues.
“Pala që ka shkaktuar dhe vazhduar shkeljen e afateve kushtetuese do të përfitonte juridikisht pikërisht nga shkelja e vet”, ka deklaruar ai.
Në fund, Gruda ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e situatës dhe se do ta respektojë vendimin e saj.
“Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta sqarojë dhe ta zgjidhë këtë kaos kushtetues të krijuar nga Vetëvendosja. Prandaj, ne do t’i drejtohemi asaj dhe do ta respektojmë vendimin e saj”, ka përfunduar Gruda.








