Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas votimit të Tanja Vujoviqit, kandidates së Listës Serbe, për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Vujoviqi u zgjodh në këtë pozitë me votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e sotme konstituive të Kuvendit.
Pas këtij zhvillimi, Behrami ka ngritur pyetje për qëndrimin e mëhershëm të Vetëvendosjes ndaj Listës Serbe, duke e cilësuar votimin si bashkëpunim mes dy subjekteve.
“Koalicioni VV–Lista Serbe! Qysh tash? Lista Serbe nuk qenka më parti terroriste, a? Sot i amnistuan?”, ka shkruar Behrami.
Ai ka përmendur edhe rastin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
“Çka i thoni familjes së Afrim Bunjakut?”, ka pyetur deputeti i PDK-së.
Behrami më pas i është drejtuar votuesve të Vetëvendosjes, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mban qëndrime të ndryshme ndaj shqiptarëve dhe serbëve.
“Të dashur votues të VV-së, a po e shihni që Albin Kurti juve ju jep vetëm sovranitet simbolik, ndërsa serbëve sovranitet real?”, ka shkruar ai.
“Juve këngëtarë tallava në veri, serbëve autonomi territoriale! Mos i besoni më!”, ka përfunduar Behrami.








