Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për anulimin e masës së përcaktimit të çmimeve të derivateve dhe rikthimin e tregut të lirë.
Sipas kësaj shoqate, konkurrenca e lirë u mundëson konsumatorëve të zgjedhin ofertën më të favorshme dhe i nxit operatorët të ofrojnë çmime më konkurruese, furnizim të sigurt dhe shërbime më cilësore.
Në reagim theksohet se çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare mbeten të larta dhe me luhatje të vazhdueshme, gjë që ndikon drejtpërdrejt në Kosovë si vend tërësisht importues.
Nga Shoqata e Naftëtarëve thonë se po e monitorojnë tregun çdo ditë për të optimizuar kostot, me qëllim që ndikimi te konsumatorët të jetë sa më i përballueshëm.
Ky vendim i MINT-it vjen pas një periudhe të zgjatur të rregullimit të çmimeve pas krizës në Lindjen e Mesme.
Ministrja në detyrë e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se ndonëse baza ligjore parashikon kufizim të çmimeve deri në 90 ditë, ministria e kishte zgjatur këtë periudhë deri në 150 ditë.








