Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar, Kryesisë së Partisë dhe kryetarëve të degëve, ku është diskutuar organizimi dhe mobilizimi për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Sipas PDK-së, në takim është diskutuar për angazhimin e strukturave të partisë në të gjitha degët, me synim që pjesëmarrja në marsh të jetë sa më e gjerë.
PDK e konsideron Marshin për Liri si një ngjarje me rëndësi kombëtare dhe qytetare, përmes së cilës synohet të shprehet mbështetja për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Partia ka bërë të ditur se strukturat e saj do të angazhohen në informimin dhe organizimin e qytetarëve që dëshirojnë t’i bashkohen marshit, duke theksuar se ai duhet të ruajë karakterin qytetar, paqësor dhe gjithëpërfshirës.
Në njoftim, PDK-ja ka deklaruar se mbështetja për çlirimtarët, sipas saj, përfaqëson edhe mbështetje për luftën e UÇK-së dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
PDK ka shprehur gjithashtu pritjen që më 16 shtator të ketë vendim të pafajësisë për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, duke kërkuar kthimin e tyre në Kosovë dhe te familjet e tyre.









