Deputeti Veton Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, ka dalë në përkrahje të Marshit për Liri dhe ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në marshin e 12 shtatorit.
Ai është takuar me dy prej organizatoret Eliza Hoxhën dhe Ridvan Tahirin.
Berisha tha se fton të gjithë qytetarët, e me veçanti atë të komunitetit egjiptian që t’i bashkohen marshit.
“Në mbështetje të Marshit për Liri! Sot takova Elizën dhe Ridvanin, dy nga organizatorët e Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00. Ky marsh organizohet në mbështetje të lirimit të plotë nga Gjykata Speciale në Hagë të katër çlirimtarëve të Kosovës:z. Hashim Thaçi, z.Kadri Veseli,z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi”.
“Vendimi i Gjykatës pritet të jepet më 16 shtator. Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë. Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët! Me respekt, Veton Berisha Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane – PLE Deputet i Kuvendit të Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.








