Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është rreshtuar prapa kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë konferencës për media në Kuvend, ku u bë e ditur arritja e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Bekim Sejdiu është emri për të cilin VV-ja dhe LDK-ja janë dakorduar për postin e shefit të ri të shtetit.
Në konferencën për media foli Abdixhiku, i cili e falënderoi Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për “konstruktivitetin” e treguar gjatë bisedimeve për zgjedhjen e Presidentit.
Abdixhiku tha se negociatat mes dy partive ishin “sfiduese”, por theksoi se, pavarësisht kësaj, palët kanë bërë “punë të mirë” dhe “të mbarë” për vendin.
“Dua ta falënderoj zotin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për konstruktivitetin e mbajtur gjatë këtyre bisedimeve. Ka qenë sfiduese për të dy palët, por kemi bërë një punë të mirë, të mbarë për Republikën tonë, kemi arritur një marrëveshje me vlerë për qytetarët e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Pas Abdixhikut, fjalën e mori kandidati i dakorduar për President, Bekim Sejdiu.
Ndërkaq, Albin Kurti nuk foli fare gjatë konferencës për media, duke qëndruar prapa Abdixhikut dhe Sejdiut.








