Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Ardian Arifaj, ka folur për marshin e paralajmëruar më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Arifaj ka thënë se protesta është menduar si një aktivitet gjithëpopullor dhe se ftesa u drejtohet të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike.
“Sa di unë janë të ftuar të gjithë dhe nuk di që ka aty diskutime kush me u thirrë e kush mos me u thirrë, sepse marshi është ideuar ashtu që të jetë gjithëpopullor edhe ftesa është për të gjithë, sepse nuk është në pyetje pra vetëm fati i Hashim Thaçit ose Kadri Veselit ose Jakup Krasniqit ose Rexhep Selimit ose dhe të tjerët që janë në Hagë. Nuk është pyetje vetëm fakti fati i tyre, është i tërë Kosovës edhe e ardhmja jo vetëm e kaluara, por dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës, se sa do të pranohet, sa do të kontestohet në të ardhmen, se nëse do të kemi një vendim çfarë nuk e dëshirojmë, nuk e presim”, tha Arifaj.
Sipas tij, një vendim i pafavorshëm nga Gjykata Speciale do të mund të ndikonte edhe në mënyrën se si Kosova e ndërton narrativën për të kaluarën dhe të ardhmen e saj.
Arifaj gjithashtu ka thënë se marshi i 12 shtatorit pritet të jetë kulmi i një fushate dhe aktivitetesh që tashmë kanë nisur në komunat e Kosovës.








