Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe të Bashkimit Evropian kanë marrë pjesë sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës janë mbledhur për të kërkuar sërish vazhdimin e seancës konstituive.
Ndërkohë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë paraqitur në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk e ka thirrur vazhdimin e saj.
Për praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë ka reaguar deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili e ka cilësuar këtë si një moment me rëndësi politike në rrethanat aktuale.
Gruda ka thënë se prania e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në Kuvend nuk duhet parë vetëm si çështje protokollare, por si një mesazh lidhur me situatën e krijuar institucionale.
“Sot ishte një moment i ri në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e Kuvendit, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
Kjo prani nuk duhet parë thjesht si një detaj protokollar. Në rrethanat e krijuara, ajo ka një domethënie të veçantë politike dhe përçon një mesazh të qartë: partnerët tanë ndërkombëtarë janë kundër çdo përmbysjeje të rendit kushtetues.
Funksionimi i Kuvendit, respektimi i Kushtetutës dhe i institucioneve të shtetit nuk mund të varen nga vullneti politik i një partie apo i një individi”, ka shkruar Gruda.








