Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, ka reaguar lidhur me rastet e fundit të dhunës dhe vrasjeve në vend, duke e lidhur situatën me mungesën e institucioneve funksionale.
Berisha ka përmendur disa nga rastet e fundit të vrasjeve dhe dhunës, duke thënë se statistikat e dy muajve të fundit janë “të tmerrshme”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës e cila do të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, në mbështetje të prindërve dhe qytetarëve të shqetësuar për sigurinë.
“Sot jemi çu të tmerruar me këtë se çka po ndodh në mungesë të institucioneve, po flas në aspektin e sigurisë. Një 17-vjeçar e mbyt një 14-vjeçar me thikë. Një burrë e vret gruan e vet me fëmijë në bark. Një plak 80-vjeçar e vret gruan e vet. Edhe këto janë statistikat e fundit. Nëse i kqyr brenda dy muajve, këto janë tmerruese.
Sot, prej këtu, bashkë me kolegët deputetë, i ftoj të gjithë me shku në një protestë në ora 12:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, me i mbështetë ata qytetarë, ata prindër që kanë shqetësim për këtë situatë që po ndodh”, tha Berisha.
Ai ka thënë se këto raste po ndodhin, sipas tij, si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale.
“E pse po ndodh kjo? Po ndodh në mungesë të institucioneve. Të njerëzve të papërgjegjshëm që e kanë zënë peng edhe Qeverinë, edhe Kuvendin, edhe të gjitha institucionet.
Ne po duam, vëllezër e motra të dashur, po duam me u faru në komunikacion. Për çdo ditë ka lajme të tmerrshme. Femicidi, pastaj vrasjet kriminale. Kërkush nuk merret me këtë punë, nuk flet për këtë punë ose nuk i lë hapësirë kësaj teme që ne po dojme me u faru si popull”, tha Berisha.








