Mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili ka importuar Kosova vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti.
Brazili është furnizuesi më i madh i Kosovës me këto produkte, por nga 3 shtatori një pjesë e eksporteve të tij me origjinë shtazore do të përballet me kufizime në Bashkimin Evropian.
Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor.
Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë.
Kosova, deri më tani, nuk ka njoftuar për ndonjë masë, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e mishit që importon, vjen pikërisht nga ky shtet i Amerikës Jugore.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik të vitit 2026, vlera e mishit të gjedhit dhe të pulës të importuar nga Brazili ka kaluar 50 milionë euro.
Për krahasim, importet e këtyre dy llojeve të mishit nga të gjitha shtetet e tjera së bashku kanë arritur në mbi 65 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë.
Në këto shifra nuk përfshihen kafshët e gjalla që importohen për therje dhe as produktet e përpunuara të mishit të gjedhit dhe të pulës.
Pse BE-ja po vendos kufizime?
Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore që importohen nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me produkte antimikrobiale për nxitjen e rritjes ose rritjen e prodhimit.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për Radion Evropa e Lirë se, nga 3 shtatori 2026, të gjitha kafshët dhe produktet me origjinë shtazore për konsum njerëzor që eksportohen drejt BE-së, duhet t’i përmbushin këto kërkesa.
“Brazili u përjashtua nga lista e vendeve të autorizuara, sepse nuk kishte vendosur masat e nevojshme për t’i dhënë BE-së garanci se rregullat për përdorimin e antimikrobikëve janë respektuar gjatë gjithë ciklit jetësor të kafshëve”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Antimikrobikët janë substanca që përdoren për të luftuar mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe antibiotikët.
Profesori i sigurisë ushqimore në Universitetin e Prishtinës, Sali Salihu, thotë se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve në blegtori mund të favorizojë krijimin e baktereve rezistente, të cilat mund të kalojnë te njerëzit edhe përmes zinxhirit ushqimor.
“Kur bakteret bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, trajtimi i infeksioneve te njerëzit bëhet shumë më i vështirë dhe sëmundja mund të zgjasë më shumë”, thotë Salihu.
Për këtë arsye, ai vlerëson se edhe Kosova duhet t’i shqyrtojë masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian, sidomos për shkak të varësisë së madhe nga importet braziliane.
“Kosova duhet t’i harmonizojë edhe ligjet, edhe vendimet me BE-në”, thotë ai.
A duhet Kosova ta ndjekë BE-në?
Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.
Komisioni Evropian sqaron se masa për importet zbatohet për shtetet anëtare të BE-së.
“Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, vendet kandidate do të duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me kërkesat e BE-së deri në momentin e anëtarësimit”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.
Ministria e Bujqësisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrton masa të ngjashme ndaj importeve nga Brazili.
Çfarë do të ndodhte nëse kufizohen importet?
Çdo kufizim eventual ndaj mishit brazilian do të prekte një treg që tashmë varet në masë të madhe nga importet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor i mishit mbulon vetëm 34.2 për qind të nevojave për konsum, ndërsa konsumi vjetor i mishit është rreth 35.7 kilogramë për banor.
Mishi i importuar nga Brazili gjendet në markete dhe mishtore, por, sipas Salihut, përdoret veçanërisht në sektorin e gastronomisë, ndër të tjera për shkak të çmimit më të ulët.
Derisa një kilogram mish i freskët i gjedhit në mishtore mund të kushtojë deri në 15 euro, mishi i ngrirë i importuar nga Brazili mund të blihet për më pak se 10 euro për kilogram.
Salihu ngre pikëpyetje për cilësinë dhe mënyrën e trajtimit të mishit të importuar.
“Mishi i importuar nuk ka një garanci të cilësisë. Në shumicën e rasteve ai vjen i ngrirë, këtu përpunohet. Por, nuk e dimë se sa ka qëndruar në depot e Brazilit apo në shtetet e tjera të origjinës. Nuk e dimë as mënyrën e trajtimit të kafshëve, nëse janë përdorur aditivë, hormone apo antibiotikë”, thotë ai.
Përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë paralajmërojnë për anën tjetër të problemit: nëse importet nga Brazili kufizohen pa burime alternative furnizimi, çmimet mund të rriten.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, thotë se prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm për t’i plotësuar nevojat e tregut.
“Kosova nuk ka prodhim të mjaftueshëm të këtyre produkteve. Mungesë të mishit ka edhe në rajon, prandaj importohet nga Brazili”, thotë Sogojeva.
Sipas tij, shtrenjtimi eventual i mishit do të reflektohej edhe në bizneset e gastronomisë dhe hotelerisë.
“Bizneset shërbyese janë të interesuara të furnizohen me mish vendor, por kjo është e pamundur”, thotë ai.
A mund të jetë kjo një mundësi për prodhimin vendor?
Salihu thotë se mungesa e mishit të importuar nga Brazili mund të shfrytëzohet si mundësi për të rritur prodhimin vendor.
Sipas tij, për këtë nevojitet rritja e fondit blegtoral dhe mbështetja më e madhe e fermerëve.
“Fermerët duhet të investojnë në këtë sektor. Është në interesin e tyre që ky sektor të bëhet i rëndësishëm, sepse kërkesa në treg po rritet. Por, pastaj, edhe shteti duhet ta rrisë fondin blegtoral”, thotë Salihu.
Kosova i mbështet fermerët përmes subvencioneve dhe granteve investuese.
Sipas Raportit të Gjelbër, në vitin 2024, buxheti për Programin e Pagesave Direkte ishte mbi 66 milionë euro.
Në kuadër të skemave për blegtorinë, për lopët qumështore janë ndarë 90 euro për një në vit, për therjen e raportuar të gjedheve 50 euro për një dhe për viçat 25 euro për një.
Megjithatë, fondi blegtoral nuk ka shënuar rritje të qëndrueshme.
Në vitin 2025, Kosova kishte 241.423 gjedhe – rreth 20 mijë më pak se në vitin 2020.
Për Salihun, pikërisht këtu duhet kërkuar një pjesë e zgjidhjes për varësinë nga importet.
“Çdo fermer që do të shtojë numrin e viçave, qoftë për mish apo për qumësht, mund të ketë interes ekonomik. Kushtet janë, vetëm nevojitet interesimi dhe efektet do të jenë zinxhirore: fiton fermeri, ekonomia, por edhe qytetarët ushqehen me mish cilësor dhe të sigurt”, përfundon Salihu.








