Çka fshihet prapa marrëveshjes së KEK-ut me ESM-në? Maqedonia merr qymyr nga Kosova për 24.4 euro për ton, ndërsa më herët paguante deri në 65 euro për qymyr nga Greqia e Shqipëria

Korporata Energjetike e Kosovës do t’i shesë Maqedonisë deri në 3 milionë tonë qymyr për 73.2 milionë euro gjatë tri viteve. Çmimi prej 24.4 eurosh për ton është dukshëm më i ulët se çmimet prej rreth 55 deri në 65 euro për ton që ESM kishte paguar në disa furnizime të mëparshme me qymyr nga Shqipëria dhe Greqia. Kompania maqedonase thotë se marrëveshja me KEK-un do t’i sjellë kursime të mëdha financiare, ndërsa kontrata parasheh që para se ESM të nisë nxjerrjen, KEK-u do të kryejë përgatitjen e terrenit.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka lidhur një kontratë trevjeçare me kompaninë Maqedoninë e Veriut EMV për shitjen e rreth 3 milionë tonëve qymyr.

Vlera potenciale e marrëveshjes është 73.2 milionë euro pa TVSH, ndërsa çmimi i përcaktuar është 24.4 euro për ton.


Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i ESM-së, Lazo Uzunčev, dhe drejtori i përgjithshëm i KEK-ut, Gramos Hashani.

Sipas kontratës, sasia e parashikuar prej rreth 3 milionë tonësh do të shfrytëzohet gjatë një periudhe prej 36 muajsh.


Qymyri do të merret nga minierat sipërfaqësore të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit të KEK-ut në Obiliq.

Çmimi prej 24.4 eurosh për ton është çmim maksimal dhe nuk mund të rritet gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes.


KEK-u do ta përgatisë terrenin para se ESM-ja të nisë gërmimin

Një prej detajeve të kontratës është ndarja e punëve që do të kryhen nga KEK-u dhe blerësi maqedonas.

Para se ESM-ja të nisë gërmimin e qymyrit, KEK-u merr përsipër heqjen e mbulesës sipërfaqësore, përkatësisht dherave dhe materialit që ndodhet mbi shtresën e qymyrit.

Nëse paraqitet nevoja, KEK-u duhet të kryejë edhe largimin fillestar të ujërave sipërfaqësore në zonat ku do të bëhet shfrytëzimi.

Përveç kësaj, KEK-u duhet t’i sigurojë blerësit një hapësirë afër vendndodhjes së shfrytëzimit për depozitim, përpunim dhe ngarkim të qymyrit, me qasje në rrugët rajonale.

Vetëm pas përgatitjes së terrenit, ESM-ja do të nisë punët për nxjerrjen e qymyrit.

Sipas marrëveshjes, kompania maqedonase do të angazhojë kompanitë e veta të përzgjedhura dhe të autorizuara për gërmimin, ndërsa KEK-u nuk do të ketë marrëdhënie kontraktuale me këta nënkontraktorë.

“Blloqe qymyrore që KEK-u nuk i shfrytëzon”

Në dosjen e tenderit, KEK-u ka dhënë edhe arsyetimin për shitjen e këtyre rezervave.

Aty thuhet se gjatë shfrytëzimit të qymyrit për nevojat e prodhimit të energjisë elektrike, në minierat sipërfaqësore përdoret teknologjia me ekskavatorë rotorikë dhe shirita transportues, të cilët funksionojnë në mënyrë të pandërprerë.

Megjithatë, gjatë këtij procesi mbesin disa blloqe qymyrore që, edhe pse përmbajnë rezerva, nuk mund të shfrytëzohen me ekskavatorë rotorikë apo të transportohen me shirita.

KEK-u ka synuar t’i shesë këto rezerva gjatë viteve 2026, 2027 dhe 2028, me një sasi të planifikuar prej rreth një milion tonësh në vit.

Pagesat do të bëhen në bazë të faturimit javor, ndërsa ESM-ja duhet të kryejë pagesën brenda 30 ditësh nga pranimi i faturës.

ESM paguante deri në 65 euro për ton për qymyr nga Shqipëria dhe Greqia

Çmimi i kontraktuar me KEK-un është dukshëm më i ulët se disa nga kontratat e mëparshme të ESM-së për furnizim me qymyr.

Në vitin 2022, gjatë krizës energjetike, ESM kishte lidhur kontrata për furnizim me gjithsej 550 mijë tonë qymyr, me vlerë totale prej rreth 32 milionë eurosh, shkruan Insajderi.

Kontrata më e madhe ishte me kompaninë High Towers, për furnizimin me 400 mijë tonë qymyr me origjinë nga Shqipëria, me vlerë prej rreth 22.2 milionë eurosh. Kjo i bie rreth 55.5 euro për ton.

Një kontratë tjetër ishte lidhur me Quantum Solutions për furnizimin me 100 mijë tonë qymyr nga Greqia, me vlerë prej rreth 6.3 milionë eurosh, ose afërsisht 63 euro për ton.

Ndërsa kompania Energija X ishte kontraktuar për furnizimin me 50 mijë tonë qymyr nga Shqipëria, në vlerë prej rreth 3.25 milionë eurosh, që i bie rreth 65 euro për ton.

Në kontratat e mëparshme të ESM-së, çmimi ishte i lidhur edhe me vlerën energjetike të qymyrit, ndërsa në kontratën e re çmimi është përcaktuar për ton dhe me parametra të caktuar të cilësisë.

Po ashtu, qymyri i KEK-ut nuk po i dorëzohet ESM-së i gatshëm në termocentral. Kompania maqedonase duhet të angazhojë vetë kontraktorët, të kryejë nxjerrjen dhe të përballojë kostot për përpunimin, ngarkimin dhe transportin e tij.

ESM thotë se do të kursejë para dhe do të rrisë prodhimin

Vetë kompania maqedonase e ka cilësuar marrëveshjen me KEK-un si një marrëveshje strategjike, duke pretenduar se do t’i mundësojë furnizim të sigurt dhe të vazhdueshëm me qymyr për tri vitet e ardhshme.

SipasESM-së, marrëveshja është arritur pas negociatave intensive mes dy kompanive dhe në bazë të një vendimi të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.


Kompania shtoi se çmimi i garantuar dhe fiks prej 24.4 eurosh për ton do ta mbrojë sistemin energjetik të vendit nga mungesa e qymyrit dhe nga luhatjet e shpeshta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Më tej, ESM ka pretenduar se marrëveshja do t’i sjellë kompanisë “kursime të mëdha financiare”.

Sipas saj, blerja nga KEK-u bëhet me “çmimin më të favorshëm të mundshëm” dhe me karakteristika superiore krahasuar me furnizimet e tjera që ka pasur në dispozicion.

Kompania maqedonase ka pretenduar gjithashtu se përdorimi i qymyrit nga Kosova do të rrisë ndjeshëm efikasitetin e termocentraleve të saj.

Sipas përllogaritjeve të ESM-së, kjo pritet të sjellë një prodhim shtesë vjetor prej 800 GWh energji elektrike, që do të krijonte të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh.

Rizvanolli: Çmimi është shumëfish më i favorshëm

Për marrëveshjen ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka thënë se çmimi prej 24.4 eurosh për ton është shumëfish më i favorshëm për KEK-un krahasuar me shitjet e mëparshme përmes ndërmjetësuesve.

“Çmimi prej 24.4 Euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 Euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 Euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo tha se kontrata është lidhur drejtpërdrejt mes dy kompanive publike dhe se eksporti nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Ndërsa objekti i kontratës, sipas KEK-ut, është vetëm shitja e sasisë së përcaktuar të qymyrit. Marrëveshja parashikon që furnizimi me 3 milionë tonë të realizohet gradualisht deri në vitin 2028.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit