Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shmangur komentet për qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Thaçi është pyetur nëse do ta priste Kurtin në rast se kryeministri do të shprehte vullnet për ta vizituar në Hagë.
“Nuk deklarohem për situata hipotetike”, është përgjigjur Thaçi për “Debat Plus” në rtv Dukagjini.
I pyetur për faktin që Kurti nuk ka vizituar asnjërin prej katër ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, Thaçi ka zgjedhur të mos komentojë drejtpërdrejt.
“Nuk dua të merrem me disponimet apo sjelljet e të tjerëve”, ka thënë ai.
Thaçi nuk ka dhënë koment as për qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Nuk kam koment”, ka deklaruar ai.
Ai është pyetur edhe për praninë e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në sallën e gjyqit në Hagë.
“Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë”, ka deklaruar Thaçi.








