Prokuroria ngriti aktakuzë – këta janë dy kosovarët dhe turku që dyshohet se mashtruan për transplantin e veshkës

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Valmir Hajrullahut dhe Avdyl Kryeziut, të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, në një rast ku një qytetar dyshohet se është dëmtuar në shumën prej 134 mijë e 761 euro.

Sipas aktakuzës, Valmir Hajrullahu dyshohet se gjatë periudhës nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lubeniq të Komunës së Pejës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka mashtruar të dëmtuarin duke e vënë dhe mbajtur atë në lajthim përmes paraqitjes së rreme të fakteve.

Sipas Prokurorisë, Hajrullahu dyshohet se është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, ai ka kërkuar dhe pranuar nga i dëmtuari mjete financiare, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura që lidhen me transplantimin.

Si funksiononte skema?

Gazeta Insajderi pati raportuar për rastin në muajin shkurt të këtij viti, kur Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Valmir Hajrullahut.

Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Insajderi, përshkruhej mënyra se si dyshohej se funksiononte skema e mashtrimit.

Hajrullahu dyshohej se ishte paraqitur si mjek, duke shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit dhe duke i premtuar se do ta ndihmonte për trajtim dhe transplantim në Turqi.

Në një dëshmi të përfshirë në dosje, një dëshmitare kishte deklaruar se më 15 qershor 2021 kishte udhëtuar drejt Stambollit së bashku me vëllain e saj, ku ishin takuar me Hajrullahun, i cili, sipas saj, ishte prezantuar si doktor kardiokirurg.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në skemë dyshohej se ishin përfshirë edhe Avdyl Kryeziu dhe shtetasi turk Yilmaz Tassoker.


Për ta bërë mashtrimin më të besueshëm, sipas hetimeve të atëhershme, dyshohet se ishin përdorur dokumente dhe të dhëna të rreme, përfshirë termine fiktive për ekzaminime mjekësore, rezervime të biletave të avionit, fatura dhe komunikime përmes email-eve.

Prokuroria kishte pretenduar se Hajrullahu, duke u paraqitur rrejshëm si mjek, kishte kërkuar vazhdimisht nga i dëmtuari dhe familjarët e tij shuma të ndryshme parash.

Sipas aktakuzës së ngritur tash, shuma totale e dëmit të shkaktuar është 134 mijë e 761 euro.

Avdyl Kryeziu dyshohet se ndihmoi në mashtrim

Në aktakuzën e re është përfshirë edhe Avdyl Kryeziu.

Sipas Prokurorisë, Kryeziu dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale duke e njoftuar të dëmtuarin me Valmir Hajrullahun, duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi dhe duke i krijuar besim të dëmtuarit lidhur me kompetencat dhe mundësitë e tij për organizimin e transplantimit të veshkës.

Ndërkohë, për Yilmaz Tassoker, i cili sipas aktakuzës dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës, procedura penale është veçuar.

Hajrullahu ishte vetëdorëzuar në polici

Në shkurt të këtij viti, Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Valmir Hajrullahut.

Sipas dosjes së atëhershme, Hajrullahu kishte qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe ishte vetëdorëzuar në polici më 20 shkurt 2026.

Prokuroria kishte argumentuar se paraburgimi ishte i domosdoshëm për shkak të rrezikut të arratisjes, ndërsa kishte përmendur edhe shqetësimet e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve.

“I dëmtuari dhe dëshmitarët kanë deklaruar se janë të frikësuar dhe ndihen të shqetësuar nga i pandehuri”, thuhej në kërkesën për paraburgim.

Në atë kohë, Policia e Kosovës kishte njoftuar se dy persona ishin arrestuar nën dyshimin se kishin mashtruar një qytetar me premtimin se do ta dërgonin jashtë vendit për shërim, duke i shkaktuar dëm prej rreth 130 mijë eurosh.

Si prova materiale ishin sekuestruar dy telefona mobilë, dy kartela të spitaleve dhe një kartelë bankare.

Tash, me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Pejë i ka propozuar gjykatës që Valmir Hajrullahu dhe Avdyl Kryeziu të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.

Për personin tjetër të përfshirë në rast, pra shtetasin turk, Yilmaz Tassoker i cili dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës, procedura penale është veçuar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit