Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës kanë vendosur të protestojnë më 1 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se problemet financiare, moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndërhyrjet në kompetencat komunale kanë bërë që, sipas tyre, të shterojnë rrugët e dialogut me nivelin qendror.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se vendimi për protestë është marrë pasi, sipas tij, pothuajse të gjitha rrugët e dialogut me nivelin qendror janë shterur.
“Kemi shumë arsye sa i përket kësaj proteste, sepse të gjitha rrugët e dialogut pothuajse janë shterur me nivelin qendror. Pothuajse që disa vite kërkesat e komunave janë injoruar në mënyrë totale. Nuk ka pasur një bashkëpunim të sinqertë me komunat. Në takimet të cilat janë zhvilluar me nivelin qendror vetëm kërkesat e komunave janë dëgjuar, mirëpo nuk ka pasur asnjë impakt nga takimet të cilat i kemi organizuar me nivelin qendror”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka bërë të ditur se përfundimisht kryetarët e komunave të pranishëm në takimin e Këshillit kanë vendosur që protesta të mbahet më 1 shtator, në orën 11:00, me qëllim që problemet e adresuara ndër vite nga komunat e Kosovës të merren parasysh nga niveli qendror.
“Kështu që përfundimisht erdhi vendimi i kryetarëve të komunave prezentë në takimin e Këshillit që më 1 shtator, në ora 11:00, të kemi protestën e komunave, ku protesta do të ketë qëllimin që problemet të cilat janë adresuar nga komunat e Republikës së Kosovës ndër vite të miratohen apo të merren parasysh nga niveli qendror”, ka deklaruar ai.
Ibrahimi ka thënë se një prej kërkesave kryesore të komunave lidhet me mjetet financiare për kontratat kolektive.
“Kërkesa e parë normal është që me qindra miliona euro komunave u janë marrë në mënyrë të padrejtë nga kontratat kolektive”, ka thënë ai.
Sipas tij, një tjetër problem është moszbatimi nga niveli qendror i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket normës së kompensimit për përvojën e punës.
“Domethënë, nga marsi i vitit 2023, 2024, 2025, niveli qendror nuk e ka zbatuar këtë aktgjykim, edhe pse është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese”, është shprehur Ibrahimi.
Ai ka përmendur edhe çështjen e dëmeve nga vërshimet, duke thënë se që nga viti 2022, bujq, fermerë dhe qytetarë nuk janë kompensuar nga niveli qendror, ndonëse përgjegjësia institucionale, sipas tij, është e nivelit qendror.
Një tjetër shqetësim, sipas Ibrahimit, është rishikimi i grantit për arsim. Ai ka thënë se vetëm këtë vit komunat do të obligohen të mbulojnë shpenzimet e rreth mbi 3 mijë mësimdhënësve, me vlerë totale rreth 24 milionë euro.
“Komunat do të dëmtohen në vlerë deri në 60 milionë euro” nga moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë ai, duke shtuar se edhe kontratat kolektive kapin vlera prej qindra miliona eurosh.
“Domethënë, komunat janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë sa i përket financave”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka thënë se një pjesë e rëndësishme e protestës lidhet edhe me atë që e ka cilësuar si tendencë të nivelit qendror për marrjen ose ndërhyrjen në kompetencat e komunave.
“Domethënë ndalja e centralizimit të kompetencave; kemi pasur Inspektoratin e Tregut, kemi pasur procesin e rekrutimit, tash edhe me çështjen e pronave publike”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, komunat kërkojnë gjithashtu themelimin e grantit të katërt për investime kapitale, kërkesë kjo që kryetarët e komunave e kanë bërë prej disa vitesh, por që, sipas Ibrahimit, nuk është përkrahur nga niveli qendror.
“Gjithashtu edhe një krijim i një fondi emergjent për komuna”, ka shtuar ai.
Ibrahimi ka bërë të ditur se motoja e protestës do të jetë: “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!”
I pyetur për deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se buxheti vitin e ardhshëm do të arrijë në 900 milionë euro, Ibrahimi ka thënë se ndarja e mjeteve përcaktohet me legjislacionin në fuqi dhe me formula të përcaktuara.








