Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Vezir Hazirajt, i cili ishte arrestuar të shtunën.
Vendimi është marrë më 16 gusht 2026, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Lajmin e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Pejë, përmes një përgjigjeje për mediat.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës për caktim të masës së paraburgimit, me Aktvendimin me shenjën DKR.PP.nr.135/26 të datës 16.08.2026, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të njëjtit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Haziraj, i cili ishte arrestuar gjatë fundjavës, rezulton të ketë pasur probleme me drejtësinë që nga mosha 16-vjeçare.
Sipas të dhënave të publikuara, ndaj tij janë ngritur gjithsej 12 aktakuza për vepra të ndryshme penale.
Në vitin 2018, ai ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim për tentim-vrasje të rëndë ndaj të dashurës së tij 17-vjeçare, të cilën, sipas rastit, e kishte sulmuar me thikë.
Po ashtu, për arratisje nga vuajtja e dënimit ishte dënuar me 4 muaj burgim. Një tjetër dënim prej 4 muajsh e kishte marrë për një vepër penale të kryer gjatë kohës sa ishte në burg.
Aktakuzat e tjera ndaj tij lidhen kryesisht me raste të vjedhjeve të lehta dhe të rënda, ndërsa disa prej rasteve të ngritura që nga viti 2016 ende nuk janë gjykuar.
Ndaj tij aktualisht është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.








