Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në mihjen sipërfaqësore në fshatin Shipitull të Obiliqit, ku një 59-vjeçar ka humbur jetën derisa dyshohet se ishte duke punuar me makineri të rëndë.
Burimet bëjnë të ditur se viktima është Haxhi Gojnovci, 59 vjeçar.
Rasti është raportuar më 16 gusht, rreth orës 21:30, kur Stacioni Policor në Obiliq është njoftuar se në hapësirën e mihjes sipërfaqësore ndodhej një person i shtrirë dhe në gjendje të rëndë.
Njësitet policore, hetuesit kujdestarë dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimit, stafi mjekësor i QKMF-së në Obiliq ka konstatuar se 59-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, dyshimet fillestare janë se Gojnovci ka rënë nga lartësia e makinerisë – eskavatorit – me të cilën ishte duke punuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Forenzika Rajonale, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Hetimet Rajonale, si dhe njësitet përkatëse të KEK-ut, ku janë kryer ekzaminimet dhe veprimet e nevojshme hetimore.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, trupi i pajetë është tërhequr dhe është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Në Stacionin Policor në Obiliq janë intervistuar edhe dëshmitarët I.L. (1967) dhe N.A. (1965), ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat në të cilat humbi jetën 59-vjeçari.








