Detaje të reja kanë dalë në dritë nga rasti që nisi me dyshimet për ngacmimin seksual të një 17-vjeçareje në Prishtinë, e që tashmë është zgjeruar edhe në hetime për manipulim me prova dhe armëmbajtje pa autorizim.
Burimet bëjnë të ditur se personi i dyshuar është Blodin Karaxha 36-vjeçar pronar i “BK Models SHPK”, i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Gjithçka kishte nisur më 4 gusht, kur ndaj Karaxhës ishte iniciuar rast nën dyshimin se në lokalin e tij në Dardani kishte ngacmuar seksualisht një të mitur 17-vjeçare, duke e prekur fizikisht në pjesë intime të trupit.
Por, hetimet për këtë rast kanë nxjerrë dyshime të tjera serioze.
Sipas informacioneve, hetuesit dyshojnë se po atë ditë, rreth orës 16:50, Karaxha e kishte hequr pajisjen DVR nga lokali, me dyshimin se këtë e kishte bërë për të zhdukur pamjet e kamerave të sigurisë që lidheshin me rastin e 17-vjeçares.
Më 15 gusht, gjatë vazhdimit të veprimeve hetimore, Karaxha është ndaluar sërish, ndërsa në koordinim me Prokurorin kujdestar janë kryer bastisje në shtëpinë dhe lokalin e tij.
Aty hetuesit kanë hasur në dy pistoleta. Për njërën, sipas të dhënave të rastit, leja kishte skaduar në janar të vitit 2025, ndërsa arma tjetër rezultonte pa leje.
Por gjatë kontrollit nuk janë gjetur vetëm armët.
Policia ka sekuestruar edhe 224 fishekë të kalibrit 7.65 mm, gjashtë fishekë me gaz, si dhe një palë pranga me çelës.
Pas këtyre gjetjeve dhe dyshimeve për DVR-në, me udhëzim të Prokurorit ndaj Karaxhës janë iniciuar edhe dy raste të tjera, për “Manipulim me prova” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Blodin Karaxha është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.








