Deputeti ukrainas kundër qëndrimit të Zelenskyt: Ukraina duhet ta njohë Kosovën

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, deklaron se mbështet fuqishëm njohjen e Kosovës nga Ukraina, duke bërë të ditur se për këtë çështje ka sponsorizuar edhe një projektligj në parlamentin ukrainas.

Në një intervistë për KosovaPress, Goncharenko ka komentuar qëndrimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Serbi deklaroi se qëndrimi i Kievit ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Jam përkrahës i fuqishëm i njohjes së Kosovës si shtet të pavarur nga Ukraina. Kam sponsorizuar një projektligj për këtë çështje në parlamentin ukrainas. Fatkeqësisht, presidenti Zelensky ka një qëndrim tjetër. Gjithashtu, situata është mjaft e komplikuar për ne tani, në mes të luftës. Do të ishte më mirë që kjo të bëhej para se të fillonte pushtimi në shkallë të plotë, sepse tani çdo hap që ndërmerr Ukraina vlerësohet edhe nga aspekti se si do të ndikojë në situatën tonë, e cila është shumë e vështirë”, ka thënë ai.

Goncharenko ka vlerësuar lart mbështetjen që Kosova dhe qytetarët e saj i kanë dhënë Ukrainës, duke thënë se dy popujt e kuptojnë njëri-tjetrin për shkak të përvojave tragjike që kanë kaluar.

Ai ka thënë se është i njëjti kërcënim që përdor Rusia edhe në Ballkanin Perëndimorë, duke përdorur grupe margjinale serbe.

Sipas tij, Ukraina dhe Kosova duhet të kenë një partneritet serioz.

“Patjetër që e dimë se populli i Kosovës e mbështet Ukrainën dhe se refugjatë ukrainas kanë qenë në Kosovë. Në përgjithësi, mendoj se ukrainasit, fatkeqësisht, së bashku me popullin e Kosovës, e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër në Evropë tani se çfarë është gjenocidi, sepse populli i Kosovës e ka kaluar këtë, ndërsa ukrainasit po e përjetojnë. Prandaj, ne e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Ky është i njëjti kërcënim që Rusia paraqet ndaj Ukrainës. Është i njëjti kërcënim me të cilin Rusia ndikon në Ballkan dhe dëshiron ta vërë atë në flakë, duke përdorur disa grupe margjinale serbe. Kemi shumë të përbashkëta në historinë tonë, fatkeqësisht në historinë tragjike dhe atë të kohëve të fundit. Mendoj se Ukraina dhe Kosova duhet të kenë një partneritet shumë serioz”, ka thënë ai.


Deputeti ukrainas ka thënë se Ukraina duhet të komunikojë edhe me Serbinë, por ka kritikuar afërsinë e Beogradit me Moskën, duke shpresuar se një ditë nuk do ta mbështes Rusinë.

Goncharenko ka komentuar edhe largimin e flamurit të Ukrainës nga hapësira publike në Prishtinë nga kryetari Rama, pas deklaratës së Zelenskyt, duke e konsideruar një veprim të gabuar.

Sipas tij, flamuri ukrainas përfaqëson mbështetjen për popullin e Ukrainës dhe jo për një president të caktuar.

Rikujtojmë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pak ditë më parë gjatë qëndrimit në Beograd ka deklaruar se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën mbetet i pandryshuar, ndërsa ka falënderuar Serbinë për qëndrimin ndaj integritetit territorial të Ukrainës.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit