Në mbarë Kosovën deri më 10 gusht sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë evidentuar 112 të fëmijëve të prekur me fruth.
Doktoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Florina Grezda, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë thirrje që fëmijët të vaksinohen, duke paralajmëruar për rrezikun dhe përhapjen e shpejtë të kësaj sëmundjeje.
“Sa i përket rasteve në mbarë Kosovën, është evidentuar numri prej 112 fëmijëve të sëmurë nga sëmundja e fruthit. Normal, fëmijët që sëmuren nga sëmundja e fruthit duhet të lajmërohen në Klinikën Infektive dhe të trajtohen prej specialistit infektolog. Është krijuar një panik kuptohet pak te prindërit, të cilët nuk i kanë vaksinuar fëmijët sepse mosvaksinimi me rregull edhe rezulton me një shpërthim të një epidemie sa i përket fruthit dhe pavarësisht edhe sëmundjeve të tjera nëse fëmijët nuk vaksinohen me rregull”, ka thënë Grezda.
Ajo ka theksuar se fruthi është sëmundje virusale dhe shumë e rrezikshme, e cila përhapet shpejt dhe mund të shkaktojë komplikime të rënda.
“Sëmundja është shumë e rrezikshme. Është sëmundje virusale, virale, domethënë e rëndë. Përhapet shumë shpejt. Do të thotë një fëmijë i sëmurë nëse kontakton me 10 fëmijë të tjerë, gjasat për t’u sëmurë prej 10 fëmijëve janë 9 fëmijë të sëmurë, ndërsa njëri të shpëtojë. Mirëpo normal një vaksinim i mirë do të thotë e mbron fëmijën. Përhapja është shumë e shpejtë, po tregon edhe fakti dhe rritja e numrit të pacientëve prej 16 prillit prej rasteve të para që janë paraqitur, që ka kaluar domethënë jemi në muajin gusht në 112. Sëmundja është e rrezikshme, është sëmundje që atakon organet vitale. Mund të komplikohet, mund të kalojë do të thotë ndoshta edhe pa ndonjë pasojë, mirëpo edhe mundësia e madhe është që fëmijët të fitojnë kallje të mushkërive, dëmtim të dëgjimit për shkak të atakimit edhe të veshit, pastaj mundet me i prekë edhe sytë, domethënë me pasë probleme se shfaqet një infeksion i rëndë i syrit, e prej prej domethënë prej pasojave më të rënda është dhe prekja e trurit, domethënë inflamacioni i trurit, encefaliti në gjuhën mjekësore”, ka deklaruar ajo.
Sa i përket vaksinimit, Grezda ka treguar se nga janari i këtij viti e deri më tani, në repartin e vaksinimit janë vaksinuar mijëra fëmijë të grupmoshave të ndryshme.
“Po, sipas statistikës që kemi këtu në repartin e vaksinimit prej janarit të vitit 2026 deri në muajin gusht i kemi të vaksinuar 2500 fëmijë të moshës 1 deri në 5 vjeç. Madje kemi moshën 5 deri 7, domethënë quhet mosha parashkollore, të cilët kanë ardhur këtu para se me u regjistruar në klasën e parë kanë marrë vaksinën e fruthit dhe aty është numri diku 2890 fëmijë deri më tani janë vaksinuar në këtë grupmoshë. Mirëpo kemi të vaksinuar edhe fëmijë të cilët e kanë kryer klasën e parë, do të thotë viti shkollor i kaluar, do të thotë jo ky prej shtatorit por ky që ka përfunduar, edhe aty kemi diku 3140 fëmijë të vaksinuar. Po jemi mjaft të kënaqur me numrin e fëmijëve që janë paraqitur me u vaksinuar para se me hy në klasën e parë se është afruar mjaft numrit të fëmijëve shkollarë që i kemi vaksinuar në vitin shkollor”, ka thënë Grezda.
Doktoresha ka folur edhe për informacionet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale lidhur me një pretendim për lidhjen e vaksinës së fruthit me autizmin.
“Fatkeqësisht është hapur një lajm në këto grupe shoqërore të prindërve, në rrjetet sociale, duke lidhur domethënë problemin e autizmit me vaksinën e fruthit. Është një koincidencë shumë e rastësishme sepse vaksina e fruthit jepet mbi moshën 1 vjeç, ndërsa shenjat e para të autizmit që i vëren prindi fillojnë aty pak para moshës 2 vjeçare. Edhe është bërë një lidhje ashtu e rastësishme. Studimet shkencore të jashtëzakonshme, të cilat kanë bërë hulumtime te fëmijët me autizëm, nuk ka gjithkurfarë lidhje me vaksinën e fruthit. Kështu që apeloj dhe i lus prindërit të cilët po na dëgjojnë në këto momente, që nëse nuk i kanë fëmijët të vaksinuar menjëherë t’i sjellin në repartin e vaksinimit ose në qendrat më të afërta familjare ku është reparti i vaksinimit dhe gjithsesi t’i vakpsinojnë me vaksinën e fruthit”, ka thënë ajo.
“Rasti i vonuar edhe vaksinimi i vonuar seriozisht është problematik. Se një fëmijë që vaksinohet duhet të kalojnë 3 javë minimum për me fituar një imunitet të qëndrueshëm edhe me qenë i mbrojtur. Kështu që shumë kemi kohë të humbur në atë kuptimin nëse prindi me kohë nuk lajmërohet.
Kështu që ne kemi marrë masa. Ne i thërrasim edhe në telefon prindërit, i kemi thirrë, i kemi alarmuar, kemi hyrë në kartotekë, kemi shikuar kujt po i mungon vaksina edhe infermierja është caktuar që çdo ditë me bërë thirrje edhe me i thirrë prindërit me ardhur në repartin e vaksinimit. Kanë filluar, po ne presim edhe pak më shumë”, ka deklaruar Florina Grezda.








