Një zjarr që ka përfshirë orët e para të mëngjesit hotelin “Brooklyn” në lagjen “10 Korriku” në Vlorë ka lënë të lënduar gjashtë pushues, pesë prej të cilëve janë shtetas të Kosovës.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05, ndërsa një tjetër i lënduar është shtetas nga Rrësheni.
Pesë prej të lënduarve janë transportuar për trajtim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ndërsa dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një person tjetër po merr trajtim në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Nga veprimet e para hetimore, përfshirë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental.
Sipas Policisë, flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi që ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar edhe dëme materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.








