Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog i takon Prishtinës dhe Beogradit dhe nuk mund t’u bartet partnerëve ndërkombëtarë.
Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Sorensen ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë partner i rëndësishëm në procesin e normalizimit, por ka rikujtuar se dialogu ndërmjetësohet dhe udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
“SHBA-ja është një partner i rëndësishëm, ndërsa koordinimi i ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së e mbështet procesin e normalizimit. Megjithatë, në fund të fundit, zbatimi i marrëveshjeve është përgjegjësi e Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar ai.
Sorensen ka shtuar se partnerët ndërkombëtarë mund ta lehtësojnë dhe mbështesin procesin, por janë vetë palët ato që duhet t’i përmbushin detyrimet e marra.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, emisari evropian ka thënë se ky është një obligim i kahershëm dhe se zhvillimet politike apo zgjedhjet në Kosovë nuk i ndryshojnë detyrimet e marra në kuadër të dialogut.
“Kjo nuk është diçka e re. Bëhet fjalë për një obligim të kahershëm, të përfshirë edhe në Aneksin e Zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023”, ka thënë Sorensen.
Ai ka theksuar se BE-ja pret nga Kosova dhe Serbia që t’i përmbushin të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i Zbatimit.
“Zhvillimet politike apo zgjedhore nuk i ndryshojnë këto obligime”, ka deklaruar Sorensen.
Emisari i BE-së ka bërë të qartë se përgjegjësia për avancimin e procesit të normalizimit mbetet te Kosova dhe Serbia, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë rol mbështetës në këtë proces.








