Rreth 325 kilogramë marihuanë janë sekuestruar gjatë një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve, ndërsa droga dyshohet se kishte destinacion Turqinë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë operacionit është arrestuar edhe një shtetas i Kosovës.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve ka kontribuar në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve operative mes institucioneve të përfshira.
Në kuadër të hetimeve janë ndërmarrë veprime edhe në territorin e Kosovës, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetim.
Autoritetet kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e rrjeteve të trafikimit ndërkufitar të narkotikëve.








