Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është pyetur së fundmi për rolin e SHBA’së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Danas, gazeta serbe e pyet atë: Sa varen negociatat në Bruksel nga Uashingtoni?
Në përgjigje, Sorensen e quajti SHBA’në partnere të rëndësishme, por tha se zbatimi i zotimeve të marra në këtë proces nga Kosova e Serbia, iu takon dy shteteve.
“Dialogu ndërmjetësohet dhe udhëhiqet nga Bashkimi Europian. SHBA-ja është një partner i rëndësishëm, ndërsa koordinimi i ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së e mbështet procesin e normalizimit. Megjithatë, në fund të fundit, zbatimi i marrëveshjeve është përgjegjësi e Beogradit dhe Prishtinës. Partnerët e jashtëm mund ta lehtësojnë dhe ta mbështesin procesin, por vetë palët duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre”.
Në këtë intervistë, Sorensen foli edhe për çështjen e Asociacionit.
Ai tha se është obligim për Kosovën dhe nuk varet nga zhvillimet politike apo zgjedhjet në vend.
“Kjo nuk është diçka e re. Bëhet fjalë për një obligim të kahershëm, të përfshirë edhe në Aneksin e Zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023. BE-ja pret që të dyja palët t’i përmbushin të gjitha obligimet e tyre sipas Marrëveshjes së vitit 2023 dhe Aneksit të saj të Zbatimit. Zhvillimet politike apo zgjedhore nuk i ndryshojnë këto obligime”.








