PËR NJË GRUA RA TROJA, PËR NJË KARRIGE BIE KOSOVA

Zef Përgega

Albanian American Institute

Të gjithë e dimë historinë. Për një femër të bukur, për një tradhti bashkëshortore ra Troja dhe për një karrige të lakmueshme, sa bukuria e Helenës, po bie Kosova.

Besoj se e kam dëshmuar me libra, shkrime e vepra atdhetare dashurinë për Kosovën, për gjakun e dëshmorëve. Ne në Amerikë jemi frymëzuar prej malësorëve, prej Gjok Martinit e shumë të tjerëve, heronj të demonstratave për lirinë e Kosovës. Sa morën pushtetin bimbashët, shumë prej tyre ishin të fshehur ose dëfreheshin në klubet e natës me serbët, nuk u ndie fare të paktën për një falënderim, qoftë edhe si kortezi. Shpejt e harruat nderin se nga Detroiti erdhën 16 veta të luftonin me ju dhe u krijua “Fondacioni Vendlindja Thërret!”.

Vjen një ditë e njeriu i mërguar që la gruan në spital e u nis me çuar armë për në Kosovë, tjetri la punën dhe nuk i pyeti prindërit, por në aeroport veshi uniformën e UÇK-së, tjetri u nis për në Shtëpinë e Bardhë të takonte Klintonin, e tjetri… O, sa shumë sakrifikuan për këtë ideal, por… mosmirënjohje totale. Krejt, more bacë, pashallarë. Është fytyrëzi dhe katran në shpirt shqiptari për karrige sunduesi e agallarë me brekushe osmane…

Ai është i mençuri i të gjithë botës, por asnjëherë për punët e veta nuk i vuri gishtin kokës!

Për një grua të martuar u mbyt në gjak Troja, ndërsa për karrigen e presidentit honor ka rrezik edhe të gjakoset Kosova. 10 milionë dollarë për një palë zgjedhje, jo zgjidhje. Zgjidhje në të mirë të popullit, demokracisë dhe sigurisë s’ka, edhe pse në fushatë e lirojnë kollaren nga fyti për t’ia lidhur votuesit më pas për t’ia zënë frymën.

Janë zverdhur në fytyrë politikanët e Kosovës, kur ua kam thënë miqësisht: vini tre-katër nga komuniteti katolik në qeveri e në trupin diplomatik jashtë Kosovës. Vini nga pakicat në diplomaci e në qeveri, qoftë edhe serbë të pranueshëm në dialog. Përfshini rininë që ka mbaruar jashtë në qeveri e profesione. U zverdhën si zhapini! Pse?!

Sepse pushteti në Prishtinë s’ka vlera shpirtërore qytetëruese, por krahinore, siç është në Shqipëri që në kohën e luftës partizane. Ama ajo Albulena ta shpif mbi takat e tangëllëkut, sikur ka dalë nga elita botërore, sa më duket se popullit iu ngulën në dritë të syve! Ç’është kjo shfaqje e pistë me truproje e bodyguardë nga pas! Ky është modeli i përfaqësuesit të popullit?! Senatorët dhe kongresmenët amerikanë lëvizin me makinat e veta, pa armë në brez e pa bodyguardë, vetëm me stafin zyrtar! A me të vërtetë, me mend e Albulenave mund të ketë prosperitet Kosova?!

Ju keni një kryetar Bashkie në Prishtinë, një arkitekt të zotë që ka jetuar jashtë në Londër, me bashkëshorte shqiptaro-amerikane e lënë në Detroit dhe e njoh personalisht e familjarisht, të cilët kanë një histori suksesi. Axha i saj, Pjetër Ivezaj, që u burgos në Mal të Zi, bëri që Kongresi amerikan të ndërpriste marrëdhëniet me Jugosllavinë, për të ardhur tek bombardimi. Po ju ua ka zënë sytë gjaku i luksit. Apo do të thoni se ajo është kryqalie?! Pa pyeteni njëherë z. Rama se ç’mendon për rolin e shtetit dhe të presidentit?!

Kjo është një lojë sulltanore e sllave, me thika pas shpine, si ato 33 herë të ngulura të Brutit. Pse pas zgjedhjeve kërkohet “marrëveshje politike”? Kjo u kërkua edhe më parë dhe nuk pati rezultat. Ku ishim? Hiç gjëkundi, siç ishte mbeti katundi! Përsëri në pikën zero, përsëri 10 milionë euro!

Nuk do të jetë e largët dita që toka dardane do të sulmohet nga ortodoksizmi dhe helmi i kishës së saj, edhe nga ajo greke, maqedonase e malazeze, sepse keni lejuar që fëmija në bark të nënës së ushtarit të UÇK-së, i hapur nga bajoneta e karabinës së paramilitarit serb, sot po ushqehet me tamlin e ushqimet e Serbisë. Nuk ka patriotizëm në këtë drejtim, vetëm lëshim. As opozita, me armën e patriotizmit dhe të krahinizmit, po bën një vetëvrasje në dëm të Kosovës, duke i bindur botës se shqiptarët janë mbeturina osmane dhe nuk dinë të qeverisen, tezë kjo e armikut, e po i shkoni pas me gjethe fiku!

Më të butë, burra, më të ndërgjegjshëm, më komunikues dhe më dritë në sy para territ të muzgut gjakpirës të karriges!

Ku është ngërçi?! Karrigia e presidentit! Sypiste para saj shqiptari. Çuditem ku e mbaruan shkollën gazetarët e Prishtinës që u shkojnë mbrapa kalit me zorrë nëpër këmbë?! Ata nuk dinë, si ato në Shqipëri, se ç’është lajmi?

I dashur Albin!

Ti e di se e kam treguar respektin për Ju në dy vizita që keni bërë në Detroit. I lexova sot shkrimet e mia dhe kronikat televizive, por nuk i kam parë të realizuara ato premtime! Si more, burrë i mirë e i dashur, nuk u ule njëherë gjunjë më gjunjë me diasporën, me pleqtë e maleve, se luksi i Prishtinës, se tangëllëku idiot i Albulenës të bën peng; ai s’ka nder as taban. Si more nuk e bëre një takim me disa shkrimtarë, poetë e studiues, më i pyet e më qa hall?!

Së pari, i dashur, liroje frymëmarrjen demokratike të Kosovës, duke ia lënë karrigen e presidentit opozitës. Kuptoje lojën, duhet ta kishe kuptuar pa pasur nevojë të shkoje në zgjedhje dhe mos u kap pas saj si i mbyturi, se vjen shpejt momenti e nuk ta jep kush dorën. Politikën shqiptare nuk e ke me vete, me të drejtë apo pa të drejtë, por as opozitën e shqiptarëve në Maqedoni, se është e zënë me solemnitetet e glorifikimet deri në marrëzi shqiptare, më i shpall politikanët e vet shenjtër.

Lëne Vjollcën detyrën e Presidencës dhe këtu mbyllet cikli, e mos e bëj për vete, se besoj se asnjë nga të tutë nuk e bën më mirë se ajo, le më ta mbash për Albulenën, me gjeste të pahijshme dhe as për ndonjë konsensual. Për konsensual duhej shkuar në referendum dhe ta kishe shpallur emrin ose disa prej tyre kandidatë e të pyetej populli: si e doni Presidentin?!

Politika amerikane është e zhgënjyer për këtë veprim, i dashur Albin. Ajo sigurisht hesht, se amerikanët nuk të ndalojnë të bësh atë që do, por nëse nuk u pëlqen, në rastin më të parë të ndëshkojnë. Bëj kuvend me burra të mençur të Kosovës dhe jo lëpirësit që i kacavirren si gjarpër pushtetit, duke mos i përfillur gërhitjet politike dhe, si njeri gjigant e tolerues dhe i qytetëruar, nxirre Kosovën nga kolapsi politik e jepi frymë që të marrë frymë.

Hiqe traun e Rrugës së Kombit. Nuk më lanë të kaloj me patentën amerikane. Shprehja: “Unë jam fituesi” të çon tek humbësi! Sa më parë organizo dëgjesën me studentë e profesorë dhe me diasporën. Ajo Ministria e Diasporës është një syqorre e punë hore!

Të fala nga një mik që ta do të mirën, nga një zë në Amerikë, por dashnia për Kosovën është gjaku im i ngrirë, në dorën jashtë vorrit të luftëtarit të pavarësisë e në lotin e lokës, që nuk i thahet derisa tokës së Dardanisë t’i vijnë sytë e lirisë.

Edhe njëherë, i dashur, lëre postin e presidentit opozitës e mos bëj lojë me numrat.

He të priftë e mbara.

Jam thjesht një mik i yti, bash si fjala!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit