Lorik Deçi, 38-vjeçar, nga Prishtina, vdiq të enjten në mbrëmje pas një aksidenti me motoçikletë në Mirditë të Shqipërisë.
Lajmin për vdekjen e Deçit e konfirmoi sot një familjar i 38-vjeçarit.
“Lamtumirë, Lorik… Ka lajme që ta thyejnë zemrën. Ikja jote e parakohshme na tronditi të gjithëve”, tha familjari në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Policisë së Shqipërisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, kur 38-vjeçari dyshohet se humbi kontrollin mbi motoçikletën dhe doli nga rruga në fshatin Fan të Mirditës.
Ai u transportua me urgjencë në Spitalin e Rrëshenit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë grupi hetimor dhe shërbimet policore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.








