Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të nisë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Ai ka sqaruar se periudha 60-ditore për zgjedhjen e presidentit fillon të rrjedhë vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituuar.
Cakolli theksoi se, megjithëse Rregullorja e Kuvendit lejon ndërprerjen e seancave deri në 48 orë, situata aktuale është më problematike.
“Për ta pasur në dispozicion atë periudhën 60-ditore për të diskutuar me partitë duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi. Pra, pa konstituimin e Kuvendit, ne as nuk fillojmë të hyjmë brenda afateve kushtetuese, në këtë rast 60-ditore për zgjedhjen e presidentit. Kjo, ndonëse në aspektin procedural është e lejuar në bazë të ndryshimeve të Rregullores në vitin 2022, që parashohin ndërprerje të seancave për sa kohë ato nuk zgjasin më shumë se 48 orë, në situatën aktuale problemi është dukshëm më i madh, sepse tashmë nuk i kemi më ato 48 orë”, ka deklaruar Cakolli.








