Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, për të cilin vitin e kaluar autoritetet e Kosovës kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij dhe 19 personave të tjerë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Aktakuza thotë se gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë si pjesëtarë të këtyre njësive, kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni gratë dhe fëmijët fillimisht janë ndarë nga burrat.
Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar, disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, e disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”.
Aktakuza thotë se gjatë operacionit janë djegur edhe shtëpitë e civilëve.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi ndaj të pandehurve të mbahet në mungesë.








