“LDK-ja humbi Rugovizmin” – Geci nxjerr në pah figurat që, sipas tij, mbajnë gjallë frymën e Rugovës

Halil Geci ka publikuar një reagim në faqen e tij në Facebook, ku shprehu qëndrimet e tij për zhvillimet brenda skenës politike në Kosovë, duke vënë në qendër trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës dhe raportin e saj me zhvillimet e sotme.

Në shkrimin e tij, Geci potencon se fryma e Rugovizmit nuk është zhdukur, por sipas tij ka gjetur përfaqësim te Partia GUXO dhe figura e Donika Gërvallës. Ai kritikon drejtimin aktual të LDK-së, duke thënë se kjo parti është larguar nga rruga politike e Ibrahim Rugovës dhe se shumë figura të lidhura me atë periudhë janë larguar nga struktura e saj.

Geci rendit disa emra të figurave politike që, sipas tij, janë përjashtuar ose janë larguar nga LDK-ja ndër vite, ndërsa vlerëson rolin e Donika Gërvallës dhe bashkëpunimin e saj me kryeministrin Albin Kurti në mbrojtje të interesave të Kosovës.

Ai e përshkruan Kurtin dhe Gërvallën si dy figura që, sipas bindjes së tij, përfaqësojnë dy krahë të një projekti politik të përbashkët për shtetin e Kosovës, duke bërë thirrje për mbështetje të tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrimi i plotë

Rugovizmi nuk u shua – ai gjeti strehë te Guxo dhe Donika Gërvalla

Nga përjashtimi i figurave historike të Rugovizmit deri te transformimi i LDK-së, kjo është një analizë politike që argumenton se trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës, sipas këtij këndvështrimi, sot përfaqësohet më shumë nga GUXO dhe Donika Gërvalla sesa nga drejtimi aktual i LDK-së.

Rugovistët e Partisë GUXO, të udhëhequr nga Donika Gërvalla, sipas meje, janë besnikët më të vërtetë të Rugovizmit dhe të shtetit të Kosovës deri më sot.

U pa qartë se njerëzit më besnikë të Rugovizmit u përjashtuan, u linçuan, u ndoqën dhe u fshinë me fshesë nga LDK-ja, ndërsa në LDK mbetën, sipas mendimit tim, figura që u larguan nga fryma fillestare e Rugovizmit, përkrahës të politikave të ndryshme dhe njerëz të afërt me figura si Grenelli, Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Vuçiqi.

Paramendoni vetëm një gjë: Kush është sot në krye të LDK-së dhe kush u përjashtua dje nga kjo parti?

Nga kjo parti u përjashtuan Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj, Berim Ramosaj, Donika Gërvalla, Isuf Buxhovi, Rexhep Gjergji, Rexhep Osmani, Ejup Visoka, i ndjeri Adil Pirjeva, Skënder Blakaj, Aqif Shehu, akademik Nexhat Daci, Ekrem Kryeziu dhe shumë rugovistë të tjerë që për momentin nuk po më kujtohen.

Sot, brenda kësaj partie kanë mbetur Dada Lumja, Lutfi Haziri dhe njëfarë Kica-Xhelili. Me një fjalë, sipas bindjes sime, një pjesë e madhe e tyre janë larguar nga fryma e Rugovizmit.

Pas vdekjes së Rugovës, sipas mendimit tim, në krye të LDK-së erdhën figura të reja politike, përfshirë Isa Mustafën, si dhe figura që vinin nga parti të tjera. Nga partia e Bujar Bukoshit erdhi Avdullah Hoti, ndërsa nga Partia ORA erdhën Gazmend Muhaxheri dhe Teuta Sahatqija. Shumë prej tyre dikur kishin qëndrime kritike ndaj Rugovës, ndërsa sot janë pjesë e strukturave drejtuese të LDK-së.

Krejt në fund, në krye të LDK-së erdhi edhe Lumir Abdixhiku. Sipas bindjes sime, LDK-ja me kohë u largua nga rruga politike e Ibrahim Rugovës dhe u afrua me politika të tjera.

Pra, u pa haptazi se ata që e deshën Rugovizmin u ndoqën, u linçuan dhe u përjashtuan nga LDK-ja. Ndërsa ata që ende mbajnë gjallë frymën e Rugovizmit dhe të shtetit të Kosovës, sot janë mbledhur rreth Partisë GUXO, të udhëhequr nga Donika Gërvalla.

Donika, si politikane me bindje të djathta, sipas meje, nuk thyhet, nuk shantazhohet, nuk korruptohet, nuk ligështohet dhe nuk poshtërohet.

Me thënë të drejtën, unë mendoj se janë dy figura të fuqishme që e mbajnë këtë koalicion dhe e mbrojnë këtë shtet cep më cep: Albin Kurti dhe Donika Gërvalla.

Jam shumë i bindur se Donika, si përfaqësuese e së djathtës, dhe Kurti, si përfaqësues i së majtës, formojnë një trup të vetëm politik që bart mbi supe përgjegjësinë për shtetin.

Këto janë dy figura të forta politike që ecin në një drejtim, si dy krahët e një trupi, dhe që për atdheun dhe shtetin e Kosovës nuk kursejnë as jetën e tyre.

Për Donikën dihet se ka lënë një jetë të ndërtuar në Gjermani dhe ka zgjedhur të angazhohet në politikën e Kosovës. Sot, si deputete, ajo ushtron funksionin e saj në shërbim të institucioneve të vendit.

Paramendoni një trup njeriu pa krahun e djathtë: sa i cunguar dhe i paekuilibruar duket. Po ashtu, paramendoni një trup pa krahun e majtë: sa i pafuqishëm dhe sa i mangët është. Pikërisht kështu e shoh unë këtë dyshe politike. Si dy krahët e një trupi, ata ecin në të njëjtin drejtim, mbajnë barrën e shtetit mbi supe dhe përballen me sfida të mëdha në mbrojtje të interesave të Kosovës.

Prandaj, mendoj se nuk na mbetet tjetër veçse t’i mbështesim në zgjedhjet që po vijnë dhe ta dërgojmë në shtëpi opozitën e sotme bllokuese, sepse, sipas bindjes sime, qytetarët duhet të japin verdiktin e tyre për qeverisjen dhe përfaqësimin politik të vendit.

Deri më sot u pa se sa të afërta kanë qenë LDK-ja dhe opozita e sotme me figura politike që, sipas mendimit tim, kanë pasur qëndrime kundër interesave të Kosovës, si Grenelli, Vuçiqi, Edi Rama, Polari dhe mbështetësit e tyre. Krejt së fundi, sipas mendimit tim, kësaj liste iu bashkua edhe “Rrushja e Zhabarit”.

Në fund, mbetet detyrë e qytetarëve të Kosovës që përmes votës së lirë të vendosin se cili vizion politik duhet ta udhëheqë vendin në vitet që vijnë. Debati politik është i domosdoshëm në demokraci, por gjykimin përfundimtar e jep gjithmonë sovrani dhe qytetari.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit