Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur pas përfundimit të intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale, duke thënë se e konsideron lehtësim faktin që pas dy vitesh ka pasur mundësi të japë sqarimet e tij lidhur me pretendimet dhe akuzat ndaj tij.
Aliu ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe ka zgjedhur të heshtë, ndërsa tash ka pasur mundësinë që para Prokurorisë të paraqesë qëndrimet e tij për çështjet për të cilat është përfolur.
“Është lehtësi që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me e marrë dhe me e sqaru situatën para Prokurorisë për të gjitha sulmet dhe pretendimet ndaj meje, të cilat kanë degraduar aq shumë, por që unë jam përgjigjur me heshtje. Pata mundësi me e sqaru për gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepruar në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim që mund të më ndërlidhë mua me këtë proces, për pretendimin për mosveprim. I tërë rasti ka qenë i audituar nga ZKA-ja, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të tyre”, tha Aliu.








