Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i ka bërë të ditur kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se nuk sheh “fare arsye” për një takim mes tyre.
Kjo përgjigje ka ardhur pasi Kurti i kishte dërguar Gjinit ftesë për takim, duke i ofruar disa mundësi orare për ditën e nesërme dhe pasnesër.
Në letrën e kthyer ndaj Kurtit, kryetari i AAK-së ka shkruar se partia e tij nuk ka “kurrfarë interesi” për të qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës në asnjë format, por ka theksuar se mund të ndihmojë në themelimin e institucioneve, nëse LVV-ja pranon gjashtë kërkesat e Aleancës.
“I nderuar z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje,
Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format.
Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmesës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, ka shkruar Gjini në letrën drejtuar Kurtit.
Më tej, Gjini ka renditur gjashtë kërkesat e Aleancës:
Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror.
Pavarësia Energjetike – Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit.
Lehtësimi për Bizneset e Vogla – Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro.
Mbështetja për Bujqësinë – Lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë për nxitjen e prodhimit vendor.
Buxhetimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull.
Fondi Emergjent për Kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.
Në fund të letrës së tij, Gjini ka theksuar se pa një përgjigje për këto kërkesa, Aleanca nuk sheh arsye për takim në këtë format.
“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, ka shkruar Gjini.








