Publicisti Uk Lushi ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale pasi mbrojti idenë e hapjes së një konsullate shqiptare në Bujanoc dhe një konsullate serbe në Shkodër, duke argumentuar se komunikimi diplomatik është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Lushi theksoi se lufta mes shqiptarëve dhe serbëve ka përfunduar në vitin 1999 dhe se, sipas tij, problemet ndërmjet dy popujve mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut dhe diplomacisë.
“Nëse Republika e Shqipërisë dëshiron të jetë pranë 120 mijë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si ka mundësi të mos jetë kjo mirë dhe të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare?”, shkroi ai.
Ndërkohë, gazetari Fadil Lepaja ngriti shqetësimin se hapja e konsullatave mund ta dobësojë pozitën e Kosovës në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi.
“A e ke menduar se këto konsullata e defaktorizojnë Kosovën në Luginë dhe Mal të Zi?”, pyeti Lepaja, duke shtuar se kjo mund të krijojë përshtypjen se Shqipëria dhe Serbia janë shtete me kufi të përbashkët.
Në përgjigjen e tij, Lushi argumentoi se Kosova nuk ka insistuar mjaftueshëm për reciprocitet në raport me të drejtat e shqiptarëve në Luginë.
“Çështja serbo-shqiptare arrin paqe vetëm në tavolinë. Politikanët serbë dhe shqiptarë e dinë se konflikti përdoret për interesa pushteti, ndërsa mungon fokusi te ekonomia, arsimi dhe zhvillimi”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Lepaja theksoi se stabiliteti në Ballkan është ndërtuar mbi ruajtjen e kufijve administrativë të ish-Jugosllavisë dhe paralajmëroi se çdo ndryshim i kësaj skeme mund të sjellë tensione të reja.
“Hapja e këtyre konsullatave synon t’ia heqë Kosovës ‘letrën’ e reciprocitetit dhe ta paraqesë atë si pengesë në marrëdhëniet Serbi–Shqipëri”, u shpreh Lepaja.
Në reagimin e tij të fundit, Uk Lushi ritheksoi se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Beogradit mund të jetë në dobi të shqiptarëve të Luginës, duke shtuar se Kosova duhet të synojë hapjen e ambasadës së saj në Beograd.
Debati mes dy publicistëve përfundoi në një frymë më pajtuese, pasi Lepaja kërkoi më shumë diskutim mbi alternativat dhe të ardhmen e shqiptarëve, ndërsa Lushi sqaroi se kritikat e tij nuk ishin të drejtuara ndaj bashkëbiseduesit, por ndaj, siç tha ai, “atyre që e kanë marrë diskursin publik në dorë”.








