Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar pas vendimeve të miratuara në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, me të cilat deputetët e Grupit Parlamentar obligohen t’i respektojnë qëndrimet dhe vendimet e partisë.
Ymeri ka publikuar në rrjetet sociale disa dispozita të Kushtetutës së Kosovës që lidhen me mandatin e deputetëve, duke e shoqëruar postimin me komentin ironik: “Kosova, djep i demokracisë”.
Ajo ka shpërndarë nenin 70 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.
“Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, thuhet në pikën e parë të këtij neni.
Reagimi i Ymerit erdhi pasi Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së konfirmoi Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit dhe miratoi një deklaratë me disa vendime për funksionimin e partisë.
Në njërin prej vendimeve thuhet se të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe zbatojnë vendimet e organeve kompetente të partisë.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë edhe këtë të sotmin”, thuhet në vendimin e miratuar.








