Kurti pa nga afër gërmimet në varrezën masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Atdhe Hetemi, Drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë; Agron Limani, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, dhe Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë së këtij Komisioni, pa nga afër gërmimet në varrezën masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet të jenë fshehur trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë.

Duke i falënderuar për punën ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të Forenzikës dhe Antropologët, por edhe ata nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga EULEX-i, kryeministri Kurti tha se kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të shtetit në përgjithësi, në mënyrë që ankthi, vuajtja e familjeve, të cilat ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë, të marrë fund.

“Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta, e cila u përpoqën ta heshtin e ta zhdukin, bërtet. Dhe sa ishim ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja, meqenëse gërmimet edhe ekshumimi po vazhdon”, tha ai.

Kryeministri Kurti edhe njëherë i bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që dokumentacionet e klasifikuara në Beograd të deklasifikohen dhe të zbardhet e vërteta për më shumë se 1500 persona ende të pagjetur.

Referuar zhvillimeve të fundit, kryeministri përmendi arrestimin nga Serbia të dëshmitarëve të krimeve të luftës në Kosovë.

“Ajo që është e çuditshme është që po ndodhin arrestime edhe në Serbi me qëllimin e kundërt. Të gjithë jemi dëshmitarë që Serbia po arreston serbë, të cilët para më shumë se dy dekada na i paskan treguar UNMIK-ut e organizatave ndërkombëtare për krimet e Serbisë dhe këtë po e bën nën akuzën për spiunazh. Në vend që Beogradi zyrtar t’i hap arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake të armatosura që kanë kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, ajo të gjithë ata të cilët japin çfarëdo informacioni i akuzon, i arreston dhe mund të thuhet tashmë i ndëshkon për spiunazh”, theksoi ai.

Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:

Mirëdita të gjithëve! Si kryeministër i Republikës së Kosovës, jam këtu bashkë me Atdhe Hetemin, drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Por, bashkë edhe me kryetarin e porsaemëruar emëruar të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Agron Limanin, i cili e ka babain e zhdukur, gjithashtu edhe kushërinj të tjerë. Dhe, nga Instituti kemi edhe zyrtarë të tjerë, ndërkaq nga Komisioni edhe Kushtrim Gara.

Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta e cila u përpoqën ta heshtin e ta zhdukin, bërtet. Dhe sa ishim ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja, meqenëse gërmimet edhe ekshumimi po vazhdon.

Unë e falënderoj Institutin e Mjekësisë Ligjore, me ekspertët e Forenzikës dhe Antropologët, gjithashtu edhe ata që janë nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga EULEX-i, për punën që po bëjnë. E kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të shtetit tonë në përgjithësi, në mënyrë që ankthi, vuajtja e familjeve, të cilat ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marrë fund, dhe për këto familje për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta, më në fund të munden që në paqe e të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e vitit 1999, vetëm dhe vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar.

Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasë bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor, por u orvatën që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre. Dhe, andaj, në këtë vend, në të cilin ju po e shihni se deri tek varreza masive nuk arrihet dot me veturë, ta varrosin të vërtetën e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve.

Tash do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, e ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasë në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat edhe nëse janë varrosur në njëjtin vend mund të mos jenë aty.

Në anën tjetër e dimë që kemi një proces të drejtësisë tashmë, ku dy persona janë të arrestuar. Por, ajo që është e çuditshme është që po ndodhin arrestime edhe në Serbi me qëllimin e kundërt. Të gjithë jemi dëshmitarë që Serbia po arreston serbë, të cilët para më shumë se dy dekada na i paskan treguar UNMIK-ut e organizatave ndërkombëtare për krimet e Serbisë, dhe këtë po e bën nën akuzën për spiunazh. Në vend që Beogradi zyrtar t’i hap arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake të armatosura që kanë kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, ajo të gjithë ata të cilët japin çfarëdo informacioni i akuzon, i arreston dhe mund të thuhet tashmë i ndëshkon për spiunazh.

Në veçanti do kisha theksuar dosjen e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka bërë masakra në Kosovë, e posaçërisht në Drenicë, dhe arkivi, dosja e së cilës në vitin 2014 është klasifikuar për tri dekada. Pra, sipas Beogradit ajo dosje nuk bën të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim tash edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta.

Prandaj, edhe njëherë i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që këto dokumentacione të klasifikuara që janë në Beograd të deklasifikohen dhe të zbardhet e vërteta, në mënyrë që ata mbi 1500 persona që janë ende të pagjetur, ato qindra familje të cilat po presin për më të dashurit e tyre, më në fund t’ju përfundojë ankthi edhe dhimbja, e të mund t’i varrosin me dinjitet eshtrat e anëtarëve të familjeve të tyre dhe më të dashurve të tyre.

Pra edhe njëherë, ka shumë dokumentacion të klasifikuar në Beograd, i cili mund të hapet vetëm nëse ka trysni të mjaftueshme ndërkombëtare, e njëra specifikisht është ajo e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.

Faleminderit të gjithëve që po e ndiqni këtë zhvillim që është shumë i dhimbshëm në njërën anë, shumë pikëllues, mirëpo gjithashtu edhe është një ngjarje për të cilën duhet të përgëzojmë punën e institucioneve të Kosovës, Policisë së Kosovës, Policisë hetuese dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të gjithë atyre që kontribuuan, në mënyrë që shpresat të mos humbin dhe lufta të përfundoj edhe për ata për të cilët ende nuk ka mbaruar, meqenëse nuk i kanë varret e më të dashurve të tyre më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit