Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar sot se Partia Demokratike e Kosovës është e interesuar që institucionet e Kosovës të konstituohen sa më shpejt, duke shtuar se zgjedhja e Presidentit do t’i mundësonte Albin Kurtit një qeverisje katërvjeçare.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka thënë se “shpjegimi i vërtetë” i deklaratës së Çitakut është se PDK-ja nuk kërkon zgjidhje, por sipas tij, synon krizën politike.
Bahtiri, përmes një postimi, ka rikujtuar dy deklaratat e Çitakut, ku ajo ka thënë: “Jemi të interesuar sa më parë që institucionet e Kosovës të konstituohen” dhe “Zgjedhja e Presidentit nuk është një vend pune, por i mundëson Albin Kurtit një qeverisje 4 vjeçare.”
Sipas Bahtirit, këto deklarata nënkuptojnë se PDK-ja dëshiron që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt në mënyrë që të nisë afati ligjor për zgjedhjen e Presidentit.
“Rrjedhimisht pamundësimi i zgjedhjes së tij na dërgon automatikisht në zgjedhje dhe me këtë mundohen të tregojnë se këtu nuk ka stabilitet përderisa Albin Kurti është në pushtet”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ka pretenduar gjithashtu se PDK-ja nuk dëshiron të ulet për të diskutuar për zgjedhjen e një Presidenti konsensual, duke shtuar se nuk ka rëndësi se kush do të propozohet.
“Interesi i tyre është që të bllokojnë zgjedhjen e Presidentit, sepse është mundësia e tyre e vetme që mos ta lejojnë Albin Kurtin që ta qeverisë edhe 4 vjet shtetin. Me lojëra të tilla na kanë dërguar tash e 3 herë në zgjedhje, dhe lojën e njëjtë dëshirojnë ta luajnë prapë”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Bahtiri ka thënë se ky është “shpjegimi i vetëm” i deklaratës së Çitakut.
“Këta nuk e duan zgjidhjen, këta e duan krizën”, ka përfunduar Bahtiri.








