Një audio-incizim i publikuar mbrëmjen e së martës ka shpërfaqur përçarjen e thellë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës në prag të mbledhjes së Kuvendit të partisë, ku pritet të vendoset për fatin e kryetarit, Lumir Abdixhikut.
Gentrit Syla, zyrtar i Komunës së Prishtinës dëgjohet në audio-incizim duke i premtuar një vend pune gruas së një delegati të partisë në këmbim të nënshkrimit të tij.
Në audi-incizimin e publikuar nga Dukagjini, Syla merr premtimin nga shefi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacolli, për punësimin e gruas së delegatit të LDK-së, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.
Ndërkaq, në një studio tjetër ne T7, anëtari i kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri deklaroi se në nivel nacional sa i përket rezultatit të LDK-së “diçka nuk po dhez” teksa hodhi akuza se delegatëve u janë ofruar poste ministrore në këmbim të votës për mbetjen e Abdixhikut kryetar.
Ai tha se Lumir Abdixhiku është mendje-ndritur për të kuptuar këtë, por tha se në rastin e vetë nuk po e kupton.
“Në nivel nacional kjo nuk po rrit, nivel lokal ne kemi pas herë 9, 8 e 7 komuna. Por, nivel nacional diçka nuk po dhez, nuk po shkon diçka. Edhe pse është mendje-ndritur me i kuptu gjërat për vete nuk po e kupton”, ka thënë ai.
Dega e LDK- së në Pejë që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri, muajin e kaluar, ka kërkuar që Abdixhiku të japë dorëheqje si akt moral për rezultat për rezultatin e kësaj partie na zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Muhaxherit, disa delegatëve të LDK-së po iu ofrohen poste ministrore e zëvendësminsitrore për të votuar për Abdixhikun.
Ai tha se ndonëse nuk i ka këto poste, por po i premton.
“Po shoh që ka involvime edhe të akterëve tjerë të shpërndarjes së posteve ministrore, zëvendës-ministrore nga kryetari. Po iu premtojnë njerëzve për me votu”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Pejës dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, i cili sonte është i ftuar në emision Pressing në T7, ka deklaruar se Abdixhiku ka qenë i bindur që pas zgjedhjeve të dhjetorit Kosova nuk do të ketë zgjedhje.
Muhaxheri ka dhenë detaje edhe të një telefonate me Abdixhikun pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai tha se Abdixhiku e kishte telefonuar duke ia komunikuar vendimin për të dhënë dorëheqje, por kryetari i Pejës thotë se i ka thënë “ta mendojë këtë punë”, pas zgjedhjeve të dhjetorit.
“Rezultati ka qenë i dobët, pas rezultateve më ka thirrë me ka thënë po du me jap dorëheqje, para se me komuniku me publikun. I kam thënë kryetar nuk është mirë për LDK-në, le mendoje nesër këtë punë…Ka dalë dhe e ka ofru dorëheqjen”, tha Muhaxheri.
“Unë dhe Imri Ahmeti i kemi thënë, kryetar u bo çka u bo, po shkojmë bashkë, nuk po të lajmë vetë me jap dorëheqje. Ka qenë i bindur që vendi nuk shkon në zgjedhje të qershorit, i kam thënë me ty nuk mundemi me shku se e ke rezultatin e keq, tha e qesim Hykmeten për kryeministre. Pastaj u çel opsioni tjetër me ardhë Vjosa në parti”, tha Muhaxheri për Abdixhikun.
Dega e LDK-së në Pejë që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri, muajin e kaluar, ka kërkuar që Abdixhiku të japë dorëheqje si akt moral për rezultat për rezultatin e kësaj partie na zgjedhjet e 7 qershorit.
Përplasja Gecaj – Havolli
Të mërkurën, anëtari i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, ish-zëvendësministri Bajram Gecaj akuzoi Sokol Havollin, anëtarin e kryesisë të afërt me lidershipin aktual të Lumir Abdixhikut, për ofendime.
Polemika nisi të martën pasi Havolli tha se të enjten, dita e caktuar për zhvillimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, “është dita kur LDK vendosë për LDK”.
“E jo LDK të vendoset nën kontroll të satelitëve të PDK”, tha Havolli.
Në një kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të Havollit, ish-shefi i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa tha se Havolli “ishte njeriu më i afërt me PDK-në”.
“Sokol Havolli ISHTE NJERIU MË I AFËRT ME PDK-në… …në kabinetin e Isa Mustafës”, tha Bajram Gecaj në një postim në Facebook të mërkurën. “Por, meqë Sokoli paska qejf të flasë me terma teknologjikë, duhet pranuar se edhe vetë është dëshmuar si një AT mjaft funksionale: përshtatet shpejt me rrethanat, narrativën dhe nevojën e momentit”.
Unë, si ish-koleg i tij në Qeverinë LDK–PDK, i bëra publikisht një pyetje krejt të thjeshtë dhe joofenduese: A isha edhe unë ‘satelit i PDK-së’? Pyetja erdhi pasi ai kishte përgjithësuar se LDK-ja mund të binte nën kontrollin e ‘satelitëve të PDK-së.’ Dorën në zemër, një etiketim i tillë tingëllon veçanërisht ofendues, por edhe interesant, kur vjen pikërisht nga Sokoli”, tha Gecaj.
Gecaj citoi një deklaratë të ish-ministrit të Shëndetësisë nga PDK, Uran Ismaili, në të cilën ai tha se “Sokol Havolli është një prej njerëzve më të afërt që e kishte konsideru me PDK-në”.
“Për afërsinë e Sokolit me PDK-në, dhe shumë tjera, ky GPS mund të japë edhe koordinata tjera konkrete në ditët në vijim. Për sot, po e lëmë me kaq”, shkroi Gecaj në postim.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së është caktuar për të enjten në orën 18:00.








