Ndasitë në Lidhjen Demokratike të Kosovës vazhdojnë të thellohen në prag të mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm ku pritet të vendoset për lidershipin e ri të partisë.
Të mërkurën, anëtari i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, ish-zëvendësministri Bajram Gecaj akuzoi Sokol Havollin, anëtarin e kryesisë të afërt me lidershipin aktual të Lumir Abdixhikut, për ofendime.
Polemika nisi të martën pasi Havolli tha se të enjten, dita e caktuar për zhvillimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, “është dita kur LDK vendosë për LDK”.
“E jo LDK të vendoset nën kontroll të satelitëve të PDK”, tha Havolli.
Në një kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të Havollit, ish-shefi i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa tha se Havolli “ishte njeriu më i afërt me PDK-në”.
“Sokol Havolli ISHTE NJERIU MË I AFËRT ME PDK-në… …në kabinetin e Isa Mustafës”, tha Bajram Gecaj në një postim në Facebook të mërkurën. “Por, meqë Sokoli paska qejf të flasë me terma teknologjikë, duhet pranuar se edhe vetë është dëshmuar si një AT mjaft funksionale: përshtatet shpejt me rrethanat, narrativën dhe nevojën e momentit”.
Unë, si ish-koleg i tij në Qeverinë LDK–PDK, i bëra publikisht një pyetje krejt të thjeshtë dhe joofenduese: A isha edhe unë ‘satelit i PDK-së’? Pyetja erdhi pasi ai kishte përgjithësuar se LDK-ja mund të binte nën kontrollin e ‘satelitëve të PDK-së.’ Dorën në zemër, një etiketim i tillë tingëllon veçanërisht ofendues, por edhe interesant, kur vjen pikërisht nga Sokoli”, tha Gecaj.
Gecaj citoi një deklaratë të ish-ministrit të Shëndetësisë nga PDK, Uran Ismaili, në të cilën ai tha se “Sokol Havolli është një prej njerëzve më të afërt që e kishte konsideru me PDK-në”.
“Për afërsinë e Sokolit me PDK-në, dhe shumë tjera, ky GPS mund të japë edhe koordinata tjera konkrete në ditët në vijim. Për sot, po e lëmë me kaq”, shkroi Gecaj në postim.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së është caktuar për të enjten në orën 18:00.








