Qeveria në detyrë mban mbledhjen e radhës, këto janë vendimet që i miratoi

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku ka miratuar gjithsej 12 vendime për çështje të ndryshme, përfshirë ndarjen e mjeteve financiare, zhvillimin e politikave kulturore, projekte infrastrukturore dhe ndryshime në mbështetjen për specializantet lehona.


Sipas njoftimit të Qeverisë, në mesin e vendimeve të miratuara është ndarja e mjeteve financiare në vlerë prej 9,480.00 euro për mbështetjen e realizimit të programit “OringinAL”, i cili synon promovimin e Republikës së Kosovës në nivel ndërkombëtar përmes forcimit të imazhit pozitiv të vendit, promovimit të potencialit turistik, kulturor dhe zhvillimor, si dhe zgjerimit të bashkëpunimit me diasporën në funksion të zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Gjithashtu, Qeveria ka themeluar Këshillin Kombëtar të Arteve, një mekanizëm institucional që, sipas ekzekutivit, do të forcojë zhvillimin e politikave publike në fushën e artit dhe kulturës, duke garantuar profesionalizëm, pavarësi dhe përfaqësim të komunitetit artistik.


Po ashtu, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 05/16, të datës 30 prill 2026, përmes të cilit Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë financiarisht vetëm specializantet lehona, të cilat janë kthyer nga pushimi i lehonisë dhe, për shkak të ndërprerjes së vijimit të programit specialistik gjatë kësaj periudhe, nuk i kanë përfunduar modulet/ciklet e trajnimit specialistik të parapara sipas programit të specializimit, për periudhën nga 1 nëntor 2025 deri më 31 dhjetor 2026.

Këto janë vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme:

Miratimi i Rregullores për Zhvillimin e Procedurave të Rekrutimit për Zjarrfikës, e cila përcakton rregullat dhe procedurat për pranimin e zjarrfikësve në Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në pajtim me parimet e përcaktuara në Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë.


Miratimi i vendimit për qiradhënie të sipërfaqes prej 61,402.9 m² në Zonën Kadastrale Raçak, Komuna e Shtimes, sipas kërkesës së Agjencisë Pyjore të Kosovës/Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për një periudhë prej 15 vitesh për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Miratimi i vendimit për dhënien në shfrytëzim të rreth 30 ari tokë nga parcela kadastrale në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për Ministrinë e Drejtësisë. Sipas Qeverisë, kjo do të kontribuojë në krijimin e kushteve të përshtatshme infrastrukturore për nevojat institucionale të kësaj ministrie, në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në racionalizimin e kostove operative.


Miratimi i vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 05/16, për mbështetjen financiare të specializanteve lehona për periudhën nga 1 nëntor 2025 deri më 31 dhjetor 2026.

Miratimi i Kornizës për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës, e cila do të shërbejë si model për zhvillimin e aftësive digjitale të nevojshme për qeverisje efektive, ofrim të shërbimeve dhe inovacion në një mjedis digjital.


Miratimi në parim i Nismës për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”. Kjo marrëveshje do të krijojë kornizën për përfshirjen graduale të Kosovës në regjimin “EU Roam Like Home”, duke mundësuar përdorimin e shërbimeve roaming pa tarifa shtesë ndërmjet Kosovës dhe shteteve pjesëmarrëse, pasi të plotësohen kushtet e parapara.

Miratimi në parim i Nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime, për Projektin e Zgjerimit të Sistemit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë.

Miratimi i vendimit për rialokimin e mjeteve në vlerë prej 2,000,000.00 euro, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, nënprogrami “Administrata qendrore”, nga kategoria e shpenzimeve kapitale, konkretisht nga projekti kapital “Programi për Grantin e Performancës Komunale”, në 15 projekte kapitale, në përputhje me 15 marrëveshjet për mbështetje financiare të nënshkruara nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave përkatëse.

Themelimi i Këshillit Kombëtar të Arteve, me këtë përbërje:

Yll Rugova – përfaqësues nga fusha e arteve pamore;

Baki Jashari – përfaqësues nga fusha e muzikës klasike dhe operës;

Visare Aliu – përfaqësuese nga fusha e teatrit;

Afrim Spahiu – përfaqësues nga fusha e filmit dhe audiovizuales;

Ardianë Pajaziti – përfaqësuese nga fusha e letërsisë dhe librit;

Visar Munishi – përfaqësues nga fusha e këngëve dhe valleve folklorike;

Aulona Nuhiu – përfaqësuese nga fusha e baletit dhe vallëzimit modern;

Alberta Troni – përfaqësuese nga institucionet akademike dhe kërkimore në fushën e artit dhe kulturës;

Arif Muharremi – përfaqësues nga sektori i pavarur kulturor;

Artnet Haskuka – përfaqësuese nga fushat e ndërlidhura me kulturën, si dizajni, arkitektura apo industria kreative;

Visar Haxhibeqiri – përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës.

Ndarja e mjeteve financiare prej 9,480.00 euro për programin “OringinAL”, për promovimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar, forcimin e imazhit pozitiv të vendit, promovimin e potencialit turistik, kulturor dhe zhvillimor, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me diasporën.

Miratimi i propozimit të Ministrisë së Financave për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin për Ministrin e Financave, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Riaprovimi i Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit