Automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë do të mund të qarkullojnë pa kufizime gjatë ditës së nesërme.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se, bazuar në parashikimet zyrtare të temperaturave, nuk janë plotësuar kushtet për aktivizimin e masave të përkohshme të kufizimit të qarkullimit për automjetet e rënda.
Sipas njoftimit, vendimi për kufizime zbatohet vetëm në raste kur temperaturat arrijnë nivelet e përcaktuara, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë kushteve të veçanta atmosferike.
Ministria ka theksuar se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe do t’i informojë me kohë qytetarët dhe operatorët e transportit në rast se paraqiten kushtet për masa të reja kufizuese.








