Eurodeputeti austriak Thomas Waitz ka ngritur në Parlamentin Evropian çështjen e planeve për zhvillimin e infrastrukturës së gazit fosil në Kosovë dhe vendet e tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Waitz, pjesë e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, i ka drejtuar pyetje me shkrim Komisionit Evropian lidhur me përputhjen e projekteve të mundshme të gazit me objektivat e tranzicionit energjetik dhe politikat klimatike të BE-së.
Sipas tij, Kosova ka miratuar Strategjinë e Energjisë, po punon në Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën dhe ka ndërmarrë hapa në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e klimës.
Megjithatë, eurodeputeti ka theksuar se diskutimet për ndërtimin e infrastrukturës së re të gazit fosil janë intensifikuar, ndonëse Kosova aktualisht nuk ka treg të zhvilluar të gazit, rrjet shpërndarës apo kapacitete magazinimi.
Në pyetjet e tij, Waitz ka kërkuar nga Komisioni Evropian vlerësim nëse investimet e tilla janë në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër, detyrimet ndaj Komunitetit të Energjisë dhe procesin e dekarbonizimit.
Ai gjithashtu ka kërkuar të dijë se si BE-ja do të mbështesë debatet publike dhe planifikimin strategjik në vendet kandidate, duke u bazuar në tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme.








