Ines Garcia është influencuesja spanjolle e modës dhe bukurisë, e cila ka marrë vëmendje të madhe publike si e dashura e yllit të futbollit, Lamine Yamal.
Ajo ka qenë pranë futbollistit gjatë rrugëtimit të tij me kombëtaren e Spanjës dhe e ka mbështetur edhe gjatë Kupës së Botës, ku Spanja u shpall kampione.
Garcia ka treguar për herë të parë për njohjen e saj me Yamalin përmes një videoje në TikTok, e cila më pas është fshirë.
Ajo hodhi poshtë një histori që ishte bërë virale në rrjete sociale, sipas së cilës ata ishin takuar në një dyqan pasi kartela e saj nuk kishte funksionuar gjatë pagesës dhe Yamal kishte paguar për të.
“Do të doja t’ju tregoja një histori shumë të çmendur, sikur e takova në aeroport apo rastësisht në rrugë, por jo. Jemi njohur në rrjete sociale”, kishte thënë Garcia duke treguar versionin e saj të vërtetë.
Edhe pse lidhja e tyre u bë publike vetëm kohët e fundit, Garcia ka bërë të ditur se ajo dhe Yamal njihen prej rreth tre vitesh.
Dyshimet për një lidhje mes tyre nisën pas disa paraqitjeve së bashku, përfshirë një udhëtim në Greqi.
Gjatë Kupës së Botës, Garcia udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur Yamalin, pavarësisht se ka pranuar se ka frikë nga fluturimet.
Ajo publikoi fotografi nga stadiumet dhe ndau mesazhe përkrahjeje për futbollistin, duke e quajtur në një postim “dashuria ime”.
Ines ka një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale, me rreth 1.4 milion ndjekës në Instagram dhe 1.7 milion në TikTok.
Ajo publikon përmbajtje që lidhet me modën, grimin, kujdesin për lëkurën, udhëtimet dhe stilin e jetesës.
Në një intervistë për revistën “Woman Madame Figaro”, Garcia ka treguar se pjesa më e bukur e punës si influencuese janë mundësitë, bashkëpunimet me marka dhe pjesëmarrjet në evente të ndryshme.
Ndërsa sfida më e madhe, sipas saj, është ekspozimi publik dhe kritikat nga njerëzit që komentojnë jetën e saj pa e njohur atë.








