Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se do ta mirëpriste anëtarësimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Gjatë një interviste në Klan Kosova, Rudolph foli për disa çështje me rëndësi, përfshirë sigurinë, bashkëpunimin me NATO-n dhe mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Do ta mirëprisja anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Sinqerisht, në këtë moment nuk e shoh se po zhvillohet një diskutim për zgjerimin e NATO-s”, deklaroi diplomati gjerman.
Ai foli gjithashtu për rolin e Gjermanisë në mbështetjen e FSK-së, duke theksuar angazhimin e shtetit gjerman në forcimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj.
Gjermania vazhdon të jetë një nga partnerët kryesorë të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme institucionale.








