Trupi i infermieres franceze Delphine Jubillar, e zhdukur prej dhjetorit të vitit 2020, është gjetur dhe identifikuar përmes analizave të ADN-së.
Prokuroria e Toulouse bëri të ditur se eshtrat e gjetura së fundmi i përkisnin 33-vjeçares, e cila ishte zhdukur nga fshati Cagnac-les-Mines, pranë qytetit Albi në jug të Francës.
Zhdukjen e saj e kishte raportuar bashkëshorti, Cédric Jubillar, i cili në atë kohë kishte deklaruar se çifti ndodhej në proces divorci me marrëveshje.
Hetimet zbuluan se marrëdhënia mes tyre ishte e rënduar dhe se bashkëshorti e kishte kërcënuar disa herë me jetë.
Edhe pse trupi i saj nuk ishte gjetur, Cédric Jubillar u dërgua në gjyq dhe në tetor të vitit të kaluar u dënua me 30 vjet burg për vrasjen e bashkëshortes.
Ai kishte mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar se nuk i kishte bërë asgjë Delphines.
Megjithatë, në fillim të korrikut çështja mori një kthesë të papritur, pasi Jubillar pranoi përgjegjësinë për vdekjen e saj dhe u tregoi hetuesve vendin ku e kishte varrosur trupin.
Eshtrat u gjetën në një arë pranë një pylli, rreth 10 kilometra larg shtëpisë së familjes.
Delphine Jubillar ka lënë pas dy fëmijë.








