Haxhiu del në mbrojtje të Gashit: Nuk u bë Kryeprokuror nga rruga, akuzat për lidhje me VV-në janë qesharake

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbrojtur emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Zejnullah Gashi, pas kritikave dhe pretendimeve për afërsi të tij me Lëvizjen Vetëvendosje.


Haxhiu ka deklaruar se Gashi nuk është emëruar pa përvojë apo jashtë sistemit prokurorial, duke i cilësuar pretendimet për lidhje politike me Vetëvendosjen si përpjekje për të dëmtuar procesin e emërimit.

“Gashi nuk ka ardhë nga rruga që bëhet kryeprokuror. Ai ka qenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, prandaj këto deklarata se ai është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje janë qesharake. Dhe nuk e di se nga kush kanë ardhë, por janë, si me thënë, përpjekje dashakeqe për të dëmtuar një proces që ju të gjithë e keni parë që është mbikëqyrë edhe nga organizatat kredibile të shoqërisë civile, dhe po ashtu dhe nga partnerët ndërkombëtarë”, tha Haxhiu.


Ajo theksoi se partnerët ndërkombëtarë e kanë përshëndetur emërimin e Gashit, ndërsa sipas saj, organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar që sa më shpejt të emërohej Kryeprokurori i Shtetit, duke pasur parasysh se Kosova ka qenë për më shumë se katër vite me ushtrues detyre të këtij pozicioni.

“Partnerët ndërkombëtarë e kanë përshëndetur këtë emërim, ndërsa sa i përket organizatave të shoqërisë civile më kanë bërë thirrje që sa më shpejt të emërohet Kryeprokurori i Shtetit, duke pasur parasysh që Kosova është më shumë se katër vite me U.D. Kryeprokuror të Shtetit”, u shpreh ajo.

Haxhiu ka thënë se nga kryeprokurori i ri pret angazhim maksimal në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit.


“Unë zotit Gashi i uroj sukses dhe punë të mbarë në detyrën e tij. Është shumë e rëndësishme ajo çfarë ia kam thënë në takim, në ditën kur e kam emëruar, që mandatin e tij, përgjegjësinë e tij ta ushtrojë me përgjegjësinë më të lartë institucionale, me integritet të lartë profesional e moral, dhe me përpjekje maksimale për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin në mënyrë që në Republikën e Kosovës të mos ketë zyrtarë të korruptuar që ndihen të paprekshëm”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se është e rëndësishme që të mos ketë përpjekje për destabilizim në asnjë pjesë të territorit të Kosovës, duke iu referuar sulmit në Banjskë dhe rastit të Ibër-Lepencit.


“Dhe të mos ketë përpjekje për të destabilizuar në çfarëdo forme ndonjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës siç ka ndodhur, referuar sulmit në Banjskë apo në Ibër-Lepenc. Pra, është shumë e rëndësishme që detyrat të kryhen me profesionalizmin më të lartë”, tha Haxhiu.

Në fund, ajo u shpreh se kritikat për një afërsi të pretenduar të Gashit me Vetëvendosjen mund të vazhdojnë nga ata që i kanë ngritur.


“Ata që thonë që është në Vetëvendosje, le të vazhdojnë ta bëjnë”, përfundoi Haxhiu.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit