Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë drejtuar zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke kërkuar një kthim të vëmendjes te baza dhe anëtarësia e thjeshtë.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Haziri ka bërë një ndarje të profileve politike në Kosovë, duke e cilësuar LDK-në si partinë e idealistëve.
“Në Kosovë, historia na ka mësu që LDK është parti e idealistave, PDK është parti e kryengritësve dhe VV është parti e të pakënaqunve,” ka shkruar ai.
Sipas nënkryetarit të LDK-së, partia nuk duhet të shihet si pronë e atyre që mbajnë pozita të larta drejtuese, por si një aset që u takon njerëzve që e mbështesin atë me vullnet të pastër.
“LDK ju takon idealistave e idealistat e saj janë anëtarësia. Jo funksionarët. Koha t’i kthehemi idealistave!”, ka shkruar ai.








