Një incident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një kafene në Prishtinë, ku, siç raportohet janë përfshirë dy avokatët e njohur, Haxhi Millaku dhe Feim Alaj.
Siç raporton Klan Kosova, se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, në një lokal pranë objekteve të gjykatave në Hajvali. Sipas të njëjtit raportim, Policia ka iniciuar procedurë ndaj të dy avokatëve, megjithëse ende nuk është bërë e ditur se si është kualifikuar rasti.
Ndërkohë, avokatët e përfshirë mohojnë se ka pasur përleshje fizike, duke deklaruar se incidenti është kufizuar vetëm në një debat verbal dhe se nuk ka pasur eskalim në dhunë fizike.
“Keqkuptim verbal ishte mes kolegësh asgjë më shumë, më duket se kanë inicuar procedurë, por s’ka qenë diçka e madhe kjo”, kësisoj u përgjigj avokati Millaku, i pyetur për këtë çështje.
Ndërkohë, avokati tjetër thotë se nuk ka asnjë procedurë ndaj tyre.
“Mospajtime dhe keqkuptime mes kolegësh nuk ka diçka më shumë, nuk ka as procedurë penale për këtë punë” , tha avokati Alaj.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Lidhur me rastin, dy persona janë shoqëruar në stacionin policor, ku në koordinim me prokurorin e shtetit janë intervistuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit për kryeqytetin, Enis Pllana.








