Për shkak të krizës së naftës të shkaktuar si pasojë e luftës së ShBA-së dhe Izraelit me Iranin, çmimet e derivateve të naftës u rritën në gjithë botën. Në Kosovë, gjatë kësaj periudhe u vërejtën tendenca për abuzim me çmime nga disa kompani që operojnë në shitjen me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.
Me qëllim të mbajtjes nën kontroll të situatës dhe mbrojtjes së konsumatorëve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke u bazuar në Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, kishte vendosur që në baza ditore të përcaktojë çmimin maksimal të shitjes së derivateve të naftës.
Megjithatë, disa kompani nuk i kishin respektuar vendimet e MINT-it, pasi kishin shitur naftën me çmime më të larta se ato të lejuara, duke shkelur ligjin dhe duke dëmtuar konsumatorët.
Njëra prej këtyre kompanive është “Fitorja” Sh.P.K., e cila në sloganin e saj promovues përdor moton “fito për çdo litër”, por sipas gjetjeve të Inspektoratit të Tregut, në këtë rast rezulton se kompania ka përfituar përmes tejkalimit të çmimit të lejuar për litër.
Veriu.info ka siguruar dokumente të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të cilat dëshmojnë se kompania “Fitorja” Sh.P.K., në pronësi të biznesmenit Tahir Maloku, dyshohet se ka abuzuar me çmime gjatë periudhës së krizës së naftës, duke shkelur Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme.
Për shkak të këtij abuzimi me çmime, konkretisht shitjes së produkteve të naftës me çmim më të lartë sesa ai i përcaktuar me vendim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut më 23 prill 2026 ka paraqitur kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj “Fitorja” Sh.P.K. në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Veriu.info ka siguruar edhe procesverbalin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të hartuar pas inspektimit në kompaninë “Fitorja” Sh.P.K. më 3 prill 2026, ku është konstatuar se kjo kompani kishte tejkaluar marzhën tregtare maksimale të lejuar për shitjen e derivateve të naftës.
Sipas Inspektoratit të Tregut, ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme. Shkelja është e sanksionuar me nenin 19, paragrafi 13 të po këtij ligji, si dhe me nenin 26 të Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, ndërsa ndëshkimi parashihet sipas nenit 137 të këtij ligji.
Për shkeljen e vendimit për marzhën maksimale të fitimit, në kërkesën e Inspektoratit thuhet se masa ndëshkuese është paraparë me nenin 19, paragrafi 13 të Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme.
Sipas këtij paragrafi, dënimi maksimal për personat juridikë është deri në 6 mijë euro.
“Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të produktit të naftës ose karburantit të ripërtëritshëm dënohet me gjobë prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik”, thuhet në paragrafin 13 të nenit 19 të Ligjit nr.08/L-018.
Pikërisht këtu lind pyetja: pse një kompani me dhjetëra pika dhe njësi biznesore në të gjithë Kosovën do të rrezikonte shkeljen e ligjit, kur gjoba maksimale e paraparë është vetëm 6 mijë euro? Përgjigjen për këtë mund ta japin vetëm ligjvënësit dhe inspektorët e IQMT-së.
“Fitorja” Sh.P.K. është kompani e themeluar në vitin 2007 në Ferizaj nga Tahir Maloku, ndërsa menaxher i saj është djali i tij, Naser Maloku.
Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie është prodhimi i produkteve prej betonit për qëllime ndërtimi, ndërsa si aktivitet sekondar (dytësor) figuron i regjistruar testimi teknik dhe analizat.
Sikurse pak kompani të tjera, “Fitorja” Sh.P.K. ka të regjistruara 93 aktivitete biznesore në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), ku përfshihen veprimtari nga fusha e kontabilitetit, juridike, mineraleve dhe naftës.
Naser Maloku ka qenë aksionar i kompanisë që kishte fituar tenderin për fabrikën e mbetjeve nënshtazore, ku në procesin e aplikimit për tender kishte qenë në ortakëri me një shtetas serb.








