Nuk është vetëm blerja e hotelit 55 milionë dollarësh në Miami ajo që ka tronditur shqiptarët. Kryeprotagonisti i projektit të debatueshëm turistik në Zvërnec, biznesmeni Shefqet Kastrati, ka qenë ndër vite pjesë e raportimeve mediale jo vetëm për bizneset e tij, por edhe për stilin luksoz të jetesës dhe shpenzimeve marramendëse.
Emri i Kastratit është rikthyer në qendër të vëmendjes së fundmi për shkak të projektit të resortit në Zvërnec.
Sipas raportimeve në mediat shqiptare, në rrjetin e kompanive dhe individëve të lidhur me projektin që vazhdon të jetë objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, përmendet edhe emri i Shefqet Kastratit, krahas figurave të tjera që kanë qenë subjekt raportimesh.
Por ekspozimi publik i Kastratit nuk lidhet vetëm me biznesin. Vite më parë, dasma e djalit të tij, u komentua shumë për shkak të kostos së lartë dhe luksit që u shfaq aty.
Detaji që tërhoqi më shumë vëmendje ishte kostoja e dekorit floral. Vetëm lulet e importuara nga Holanda kushtuan rreth 120 mijë euro. Ushqimi dhe shërbimi u sollën nga Italia, ndërsa për organizimin u angazhuan agjenci të huaja të specializuara.
Luksi i familjes Kastrati u pasqyrua sërish edhe me blerjen e hotelin luksoz “SLS Brickell” në Miami për 55 milionë dollarë. Hoteli ndodhet në një nga zonat më të shtrenjta të qytetit dhe përfshin 124 dhoma.
Përmes “Kastrati Group”, Shefqet Kastrati konsiderohet një prej biznesmenëve më të fuqishëm në Shqipëri, me aktivitet në tregun e karburanteve e ndërtimit.








