Një rrugë në Kosovë ka marrë emrin ” Dobrica Ćosić”. Naim Hajra, kandidat për deputet në zjedhjet e fundit nga radhët e e LDK-së, ka reaguar pasi që, sipas tij, në Kosovë ekziston një rrugë që mban emrin e shkrimtarit dhe ish-presidentit jugosllav Dobrica Qosiq, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kësaj tabele.
“Nuk po muj me ju besua syve të mi”, ka shkruar Hajra në një reagimi në Fecebook, i cili thekson se është i habitur që në “zemër të Kosovës” mund të gjendet një rrugë me emrin e një figure që konsiderohet si një nga ideologët kryesorë të nacionalizmit serb.
“Si ka mundësi që në zemër të Kosovës, në tokën që ende i mban plagët e luftës, të gjendet një rrugë që mban emrin e Dobrica Ćosićit, njeriut që konsiderohet një prej ideologëve më të rëndësishëm të nacionalizmit serb, si rezultat i të cilit ne përjetuam gjenocid”, ka shkruar Hajra në Facebook.
Ai theksoi se emrat e rrugëve në Kosovë duhet t’u kushtohen figurave që kanë kontribuar për lirinë dhe ndërtimin e vendit, e jo personaliteteve që, sipas tij, lidhen me ideologji që kanë prodhuar urrejtje dhe shtypje.
“Hiqeni atë tabelë. Korrigjojeni këtë turp. Për respekt ndaj së kaluarës sonë. Për nder të dëshmorëve. Për dinjitetin e Republikës së Kosovës”, ka apeluar ai.
Hajra shtoi se Kosova nuk duhet ta harrojë historinë e saj dhe kërkoi korrigjimin e asaj që e cilësoi si një veprim të papranueshëm.








